Shqipëria si duhej të ishte në sytë e Valeri Larbo-së
Titulli: Java jonë shqiptare
Autor: Valéry Larbaud (Valeri Larbo)
Përktheu dhe pajisi me shënime: Asti Papa
Shtëpia botuese: DITURIA
...“Ka të ngjarë, dhe këtë unë e uroj me gjithë zemër, që brenda dhjetë vjetëve Shqipëria t’i ketë hedhur tej zhelet e saj dhe që Tirana kaotike, e rrëmujshme, gjysmë koloniale – por edhe Bari është ende nja 3-4% kolonial – gjysmë perëndimore, siç jam rrekur ta shënoj këtu, do të paraqesë njëfarë interesi retrospektiv, i cili do ta habisë një të ri shqiptar, që nuk do ta ketë njohur Tiranën më parë, ose që e ka parë përciptazi në fëmijërinë e tij dhe e ka harruar atë kur është gjendur para realitetit fare të ndryshëm, ku ai ka kaluar adoleshencën e tij. Të gjitha rrugët do të jenë të asfaltuara, duke mos prishur për këtë rrugët e vogla dhe të vjetra; lagjet do të lidhen njëra me tjetrën, topografia do të jetë në rregull dhe Lana do të jetë e rregulluar dhe e kanalizuar; pemët e mbjella do të jenë rritur; bulevardi Zog I dhe ai Musolini do të kenë anash, në të gjithë shtrirjen e tyre, shtëpi të mëdha e të rehatshme dhe vila me lulishte të bukura. I riu shqiptar, që do të kthehet në vendin e tij pasi të ketë bërë studimet jashtë, do të gjejë edhe në vendin e tij një Muze të Lashtësisë Shqiptare, të cilin ai mund ta shohë vetëm në Tiranë, si dhe një Bibliotekë Kombëtare, ku ai mund të lexojë punimet që i kushtohen historisë së vendit të tij, si dhe gjithë veprat e shkruara mbi Shqipërinë, të cilat po shtohen çdo vit. Letërsia në gjuhën shqipe do të ketë lexues në Europë dhe autorët shqiptarë do të përkthehen në gjuhët e mëdha të qytetërimit. Do të ketë një Teatër Mbretëror, një Sallë Koncertesh, do të flitet për ngritjen e një muzeu të pikturës shqiptare. Trupi diplomatik bashkë me aristokracinë shqiptare do të formojë një shoqëri liberale, të hapur, sqimatare, kureshtare për ndodhitë kulturore. Dhe anëtarët e kësaj shoqërie do të kalojnë nëpër rrugë pa rënë në sy, do të shkojnë vetë nëpër dyqane e zyra për të kryer punët e tyre dhe nuk do të dërgojnë shërbyesit, do të nisen vetë, në këmbë, për të vajtur në Bankë, në zyrën e Postës, në Pazar.” Këto ka parashikuar dhe shpresuar të ndodhnin në Shqipëri pas dhjetë vjetësh nga vizita e tij poeti, romancieri, eseisti dhe përkthyesi francez Valeri Larbo, i lindur më 1881 në Vishi, në një familje të pasur. Ishte pikërisht pasuria e madhe familjare dhe njohja e gjuhëve kryesore europiane ato që i krijuan djaloshit mundësinë për të bërë jetën e një dandy dhe qysh në moshë fare të re ndërmori udhëtime të shumta. Udhëtimin e parë e bëri në Spanjë më 1896, kur ishte 15 vjeç, i shoqëruar nga e ëma, dhe në ditarin që mbajti gjatë këtij udhëtimi shfaqi ëndrrën që të bëhej shkrimtar, “njeri i letrave”. Dy vjet më pas, Larboi ndërmori vetë, i pashoqëruar, “turin” e parë europian, të cilin e përfundoi në Rusi, në Shën Petërsburg. Udhëtoi në Itali më 1899 dhe 1903 dhe prej aty kaloi edhe në Malin e Zi. Më 1922-1932 ai udhëtoi dhe qëndroi kryesisht në Itali, sidomos në Romë, duke bërë edhe ndonjë vizitë të shkurtër, në Portugali dhe Korfuz. Pikërisht në udhëtimin që bëri për në Korfuz ai u njoh për herë të parë, por “nga larg”, me Shqipërinë. Më pas, më 1935, “tërheqja shqiptare” e nxiti Larbonë që të ndërmerrte udhëtimin për në Shqipëri, që fatkeqësisht ishte udhëtimi i fundit për të. Të gjitha përjetimet e udhëtimeve Larboi i përmblodhi në veprën e tij monumentale prej 1600 faqesh me titull Journal (Ditari), pjesë e së cilës është edhe ditari i mbajtur gjatë vizitës së tij në Shqipëri, me titull La nostra settimana albanese (Java jonë shqiptare). Nga leximi i këtij ditari, i përkthyer me mjeshtëri dhe i pajisur me shënime nga Asti Papa, del se gjatë “javës së tij shqiptare”, ai u mundua ta njohë mirë vendin, veçanërisht Tiranën, si dhe jetën shqiptare, sidomos veçoritë e saj, që i bien në sy një udhëtari të regjur dhe erudit. Larboi u njoh deri diku me historinë e Shqipërisë dhe me kulturën e kombit shqiptar. Në ditar ai përmend Skënderbeun dhe Ali Pashën. Flet për Lord Bajronin dhe për veprën e tij, që bëri më të njohura trimërinë dhe dëshirën për liri të shqiptarëve, madje bashkë me Marsel Rejin ai rindërtoi në hartë itinerarin e udhëtimit të njohur të Bajronit dhe shokut të tij Hobhauz në trevat shqiptare. Ai përmend edhe figura të shquara intelektuale shqiptare të kohës, si Gjergj Fishta dhe Kristo Floqi. Po ashtu, aty flet për studimet e kryera në Shqipëri nga shkencëtarë të huaj dashamirës, sidomos francezë, si Zhak Burkari, Leon Rei, si dhe italiani Roberto Almaxha. Larboi nuk e fshehu për asnjë çast dashurinë e tij për Shqipërinë, por kjo dashuri nuk e pengoi që të shihte me sy kritik gjendjen e saj, gjendjen e vendit më të varfër të Europës. Duke folur për thelbin e karakterit shqiptar, Larboi nxjerr në pah se është energjik dhe i drejtë. Ai vuri re se në sjelljen e njerëzve të popullit ndaj të huajve nuk shihet as servilizëm, as përbuzje, dhe theksoi se shqiptarët nuk ndihen as më të ulët dhe as më të ndryshëm nga ta. Larboit i bëri përshtypje mënyra sesi njerëzit në Shqipëri, madje edhe ata më të thjeshtët, nuk kishin asnjë paragjykim, përbuzje apo armiqësi ndaj mënyrës së jetesës, veshjes dhe zakoneve europiane, perëndimore, pavarësisht se këto risi ende nuk ndiqeshin nga shumica. Ndër tiparet e tjera, që i ranë në sy, ashtu siç e kanë vërejtur edhe udhëtarë të tjerë në trevat shqiptare, nga më kryesoret ai përmend tolerancën fetare. Dhe, si përfundim, Larboi theksoi me ngulm se ai i shihte shqiptarët si europianë nga karakteri, nga aftësia për të kuptuar çështjet, nga toleranca, urtia dhe kureshtja, nga dëshira për të jetuar më mirë dhe për t’u pajisur me dituri, nga talenti i fshehur për artin dhe letërsinë.