E Shtunë, 31 Tetor 2026

Helena Kadare: Mëria e Kadaresë me Presidentin Meidani dhe dreka te Mali i Robit

Në librin autobiografik “Kohë e pamjaftueshme” Helena Kadare zbulon marrëdhëniet e të shoqit me politikanë të kohës, mes të cilëve edhe Rexhep Meidanin. Acarimi mes tyre, për një frazë të ngutur që Meidani kishte thënë për Kadarenë dhe letra e Julien Roche, që e bindi shkrimtarin të ulej në një tavolinë me Presidentin

Sa më tepër që kalonte koha, aq më shumë bindeshim se jetesa mes Shqipërisë dhe Francës ishte më e përshtatshmja për t’u shmangur veç të tjerash nga pasionet politike të Shqipërisë. Si në të gjitha vendet ish-totalitare, ato ishin tejet të lodhshme dhe jo rrallë nervozuese. Për fat të mirë, Is ishte në mënyrë fare të natyrshme asnjanës. Përgjithësisht, ai ishte i ftohtë me të dyja palët kundërshtare të politikës, ngaqë të dyja i dukeshin të ngjashme, si në programet e tyre, si në stilin e konfliktit. Një episod me Julien Roche, fqinjin dhe mikun tonë te Mali i Robit, e jep më mirë atmosferën e marrëdhënieve të tij me një pjesë të politikanëve e zyrtarëve shqiptarë… Mikpritës si rrallëkush, i gatshëm për gjithçka, Julien Roche, i kthyer në shqiptar pas mëse tridhjetë vitesh qëndrimi në Shqipëri, priste e përcillte në vilën e tij, në dreka e darka, një pjesë të madhe të elitës shqiptare dhe asaj të huaj që ndodhej apo kalonte në Tiranë: senatorë, ministra, ambasadorë, filozofë, të dërguar të Europës apo shtegtarë të tjerë kokëkrisur, që donin ta kryenin rrugën në këmbë a me mjete të tjera, jo të zakonshme. Në ditë të tilla, atmosfera në vilën e tij ishte një përzierje e asaj që përshkruhet te Getsbi i Madh, i salloneve të sotme të Parisit ose i kulisave të Brukselit...

Për t’u rikthyer tek episodi që përmenda, ai lidhej me një acarim midis Is dhe presidentit të atëhershëm të Shqipërisë Rexhep M. Kishte mjaftuar një frazë e ngutur e këtij të fundit për Is, që mëria e famshme gjirokastrite të vihej në veprim. I mësuar prej kohësh me sulme dhe incidente verbale, në drejtimet më të ndryshme, Is ishte i detyruar t’i harronte një pjesë prej tyre me kalimin e kohës. Kategoria e vetme që s’e falte kurrë ishin politikanët dhe zyrtarët e lartë. Is ishte përgjithësisht i paafrueshëm me ta. Ai nuk shkonte kurrë as në ceremonitë, as në pritjet zyrtare dhe ata, nga ana e tyre përpiqeshin të mos kishin fërkime me të. Për çudi, pezmatimin në këtë rast e kishte bërë pikërisht Presidenti, që shquhej për natyre të butë dhe paqësore. Një drekë e së dielës te miku ynë Roche ishte menduar, mesa dukej, të ndihmonte për kapërcimin e këtij incidenti. Ne ndodheshim në apartamentin tonë në Tiranë, kur Roche na bëri ftesë disa ditë më parë, pa përmendur arsyen e saj. Të premten ai mori në telefon Is, për t’i përmendur sipas zakonit, pak si rastësisht pjesëmarrësit. Dëgjova përgjigjen e prerë të Is. “Ah, ashtu. Në këtë rast unë refuzoj të vij”. Dhe pak më pas: ”Ti e di që unë nuk rri në një tryezë me atë njeri dhe pikë”. Pas pak, Roche më merr mua në telefon. Ishte në panik të plotë. Ndonëse dinte shumë gjëra, për të ishte e pakuptueshme të refuzohej diçka për shkak të Presidentit. Tha fjalë të tjera, në mos gaboj, për atmosferën groteske që Is përshkruante në veprat e tij, por që këto kishin lidhje me të shkuarën, kurse tani ishte ndryshe, Shqipëria ishte shtet serioz, me president etj. etj. Iu përgjigja se do bëja çmos ta ndihmoja, por kisha pak shpresa. Një apo dy orë më pas, Roche më dërgoi një letër me një nga njerëzit e tij. Gjithmonë sipas një stili të zgjedhur. Ja letra:

E dashur Helena,

Thuhet se në Shqipëri, janë gratë ato që kanë pushtetin e vërtetë në dorë. Edhe pse me një lloj skepticizmi të lehtë, gjithmonë kam vënë re se në situata të vështira, madje dramatike, gruaja shqiptare ka ditur të dalë nga roli i saj tradicional me natyrshmëri dhe efikasitet, duke u shndërruar kështu në një ambasadore të jashtëzakonshme, apo në një tirane, sapo krijon bindjen në vërtetësinë dhe drejtësinë e kauzës që mbron. Kur u takuam të hënën në Durrës, gjatë bisedës i fola Ismailit për Presidentin Mejdani. Ismaili më tha se nuk e njihte. Nga kjo më lindi ideja e një takimi jozyrtar dhe pa protokoll, për arsyet e mëposhtme: Së pari, R. Mejdani, sipas mendimit që ka për të Parisi, dhe veçanërisht ambasadori ynë Patrick Chrismant, është një personalitet i shquar për kulturën e tij franceze, mençurinë dhe sensin e tolerancës, që është aq e rrallë për t’u nënvizuar këtu në Shqipëri… Ai do të jetë i ftuar së shpejti në Paris. Do të jetë atje për përgatitjet e vizitës së Jacques Chirac-ut në Shqipëri. Kuptohet që e gjitha kjo është mjaft konfidenciale. Ndërkaq, si mund të përfytyrohet që Personaliteti më i shquar i Shqipërisë përtej kohërave dhe partive, nuk e njeh Presidentin e vet?

Kishte pra, një zbrazëtirë për t’u mbushur dhe mendja ime prej “lobisti francez” mendoi që ky takim të bëhej në kushtet më të përshtatshme për të gjithë. E njoh mirë R. Mejdanin dhe mund të them se mes nesh ka një miqësi të vërtetë. Ai është tepër i kënaqur që të vijë këtë të diel në shtëpinë time, bashkë me gruan dhe vajzën dhe të ketë nderin të takojë bashkatdhetarin e tij tepër të shquar, me bashkëshorten e tij. Për këtë rast të jashtëzakonshëm shpalla të dielën “ditë të ndaluar”, që do të thotë se të gjithë vizitorët tradicionalë të së dielës, këtë herë të mos vijnë. Dje në mbrëmje, pas kthimit tim nga Franca, kur Presidenti më dha pëlqimin e tij, unë telefonova Ismailin për t’i dhënë lajmin e mirë. Dush i ftohtë: Ismaili më tha se nuk mund të vijë. Ngela pa frymë, ngaqë për mua është diçka e papërfytyrueshme një situatë e tillë. Ndihmë Helena!!! Duhet me çdo kusht ta bindësh Ismailin që të vijë, sepse jam i sigurt se çdo gjë do të shkojë mirë dhe ata do ta çmojnë njëri-tjetrin. Veç kësaj, unë nuk mund të anuloj drekën pa bërë një figurë shumë të keqe, si njeri i paedukuar-një ftesë që shefi i Shtetit e ka pranuar ndërkaq!

Kthema gjumin të lutem, Helena!

24 prill 1998

Ia çova letrën Is. Ai e lexoi, bëri një grimasë jo fort të kuptueshme e pastaj tha: Julieni fitoi. Thuaji se jam dakord.

Si vlerësohej akademiku Rexhep Qosja në familjen Kadare dhe nga buronte ftohtësia mes tyre, që mbushi për një kohë të gjatë faqet e shtypit me replika

Helena Kadare: Dy letrat e Rexhep Qosjes

më 1997, që Ismaili nuk ia fali kurrë

Bashkëshortja e Ismail Kadaresë hedh dritë mbi ftohtësinë dhe shpërfilljen e të shoqit mbi akademikun kosovar dhe acarimin e marrëdhënieve, për shkak se Qosja e cilësoi ’97-ën si “revolucion të vonuar demokratik”. Përgjigjja e Kadaresë për dishepullin e Qosjes, që kërkoi pajtim: ǒjanë këto idiotësira, këto marrëzira, jo baballarë, jo trapër!

Një nga ministrat e qeverisë, në mos gaboj ai i Mbrojtjes, pak përpara vdekjes bëri një deklaratë, që e botoi gjithë shtypi shqiptar: “Dosja e zezë e vitit 1997 nuk do të zbardhet kurrë”. Një depresion dhe një brengë e pathënshme i kapi gjithë shqiptarët e shpërndarë kudo në botë. Bashkë me ta ishte edhe turpi për vendin e tyre, që u bë rreckë përpara gjithë botës. Jam e sigurt që shqiptarët e diasporës, për të mos folur për ata të Kosovës, i përjetuan më tragjikisht se të gjithë ato ngjarje. Për një surprizë të keqe, mu midis tyre, Is-së i mbërritën dy letra nga akademiku i Kosovës, Rexhep Qosja. Ishin pa pulla poste, gjë që tregonte se dikush i kishte hedhur me dorë njëra pas tjetrës në kutinë e letrave poshtë shtëpisë. Në të dyja letrat, Qosja jo vetëm nuk jepte asnjë shenjë brenge, por ishte i ngazëllyer nga ajo që po ndodhte, duke e quajtur atë “revolucion të vonuar demokratik!” dhe kritikonte Is përse nuk bënte të njëjtën gjë si ai. Nervozizmi i Is për të kaloi çdo kufi. I hodhi letrat në kosh. Kishte qenë disi i ftohtë përherë me Qosjen dhe nuk e kishte fshehur njëfarë shpërfilljeje, gjë për të cilën unë nuk pajtohesha kurrsesi me të, ngaqë e çmoja R. Qosjen. Mirëpo në raste të tilla, kur i mbushej mendja për mirë apo për keq, ai bëhej i patrajtueshëm. Pavarësisht ç’kishte ndodhur më parë, gëzimin e Qosjes për shkatërrimin e shtetit shqiptar, në pranverën e vitit 1997, Is nuk do t’ia falte kurrë. Siç ma shpjegoi, nuk ishte vetëm ana morale dhe patriotike. Ngazëllimi i Qosjes i dukej i papranueshëm, në radhë të parë nga ana njerëzore.

Takimi i “pajtimit”

Epilogu i historisë ndodhi disa vite më pas, në verandën e vilës sonë te Mali i Robit në Durrës. Na kishte ardhur Agim Vinca, një nga dishepujt e Qosjes, për të bërë, si të thuash “pajtimin”. Shoqërohej nga botuesi B. Hudhri dhe një shqiptar nga Zvicra. Is, mesa duket ishte në orët jo të mira, ose u acarua qysh në frazat e para, kur Vinca nisi të thoshte se nuk ishte mirë që ata të dy, “baballarët e kombit”, të ishin të zemëruar etj. etj. Ishin pikërisht epitete të tilla, të cilat ai nuk i duronte dot: baba i kombit, bacë, e të tjera si këto. Shumëkush do ta merrte si shenjë modestie nga ana e tij, apo si shenjë përmbajtjeje, por unë e dija fort mirë se s’kishte të bënte fare me to. Epitete të tilla i dukeshin folklorike. Sapo dëgjova shprehjen “baballarët e kombit” e kuptova se puna do të mbaronte keq. Fytyra e tij mori një shprehje përçmuese. “ǒjanë këto idiotësira, tha, këto marrëzira, jo baballarë, jo trapër”. A.Vinca mbeti gojëhapur. Më erdhi keq për të, se ishte një nga dashamirësit dhe nuk e meritonte tërë atë furi. Is u ngrit me aq vrull, sa desh përmbysi tryezën. Unë desha të ikja nga veranda, për të mos dëgjuar të tjerat.

“Baballarë të kombit, vazhdoi ai nëpër dhëmbë. Unë me… Qosjen”. “Takimi i pajtimit” mbaroi në mënyrën më katastrofike që mund të përfytyrohej.

Debati për Qosjen

Sapo ata u larguan, shkova tek ai, që vazhdonte të rrinte i egërsuar në verandë dhe i thashë në mënyrë të prerë që ishte treguar krejt i padrejtë. Ai m’u përgjigj sipas stilit që e njihja: çë pastaj? Këmbyem edhe shumë fjalë të tjera dhe unë, megjithëse u ndjeva e fyer, desha t’ia ktheja me të njëjtën monedhë. I thashë pak a shumë se e dija fare mirë shkakun përse acarohej nga fjalët “baballarët e kombit” e bacë. Nuk ishte ndonjë gjë parimore, por sillej ashtu, ngaqë nuk donte të ngjante i vjetër në moshë.

Në vend që të nxehej, ai përsëriti atë:”çë pastaj?”, pas së cilës nuk kishe më ç’t’i thoshe. E çë pastaj? Përsëriti. Se mos bëre ndonjë zbulim të madh! Nuk e fsheh që është pikërisht ashtu. E pranoj, nuk dua të dukem as i vjetër e as matuf. E në do ta dish, “baba i kombit” më duket edhe më keq!

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›