E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stofi i tregimtarit në petkun e diplomatit

17/04/2009  Mbi librin me tregime “Antologjia e shpirtrave” të Taip Sulkos

Taip Sulkon, megjithëse një nga miqtë e mi të kahershëm, e takoj rrallë, jo vetëm për natyrën e tij të punës, diplomat karriere, por thjesht sipas raporteve që kemi ndërtuar së bashku: të takohemi kur kemi një kumt, një lajm, diçka të gëzueshme, që ka të bëjë me letrat, me krijimin.

Takimi me të edhe kësaj radhe ka brenda këtë pakt: ai sapo ka përfunduar së mbledhuri nëntëmbëdhjetë proza, që i ka shkruar në kohë dhe vende të ndryshme, i ka parë dhe riparë për të mos përsëritur vetveten dhe të tjerët dhe tashmë po ua jep lexuesve.

Që nga tregimi dhe përmbledhja e parë me tregime e deri në këtë vëllim të ri, një sy profesionisti dallon qartë se kemi të bëjmë me një personalitet të prozës, një vëzhgues të hollë të mjediseve shqiptare, me theks të veçantë ato të vendlindjes, ku protagonistë të rëndësishëm apo dytësorë janë në një start për të hyrë në kujtesën tënde dhe për të mos u larguar asnjëherë.

Të gjitha jetët njerëzore të shpalosura në këtë libër: besimtari mysliman në tregimin “Largimi”; i burgosuri politik në "Shegët e Moskës"; beqari i përjetshëm apo “filozofi i dridhur i dashurisë së lënduar”; M.K. në tregimin "Pse dashurojnë mesogratë"; vrasësi me pagesë, si krijesë përmbledhëse simbolike në tregimin "Në Ferr"; mësuesi fatkeq dhe i dhembshur i fillores, që i nxjerr mësimet për sistemin totalitar, me kaq vonesë, por çuditërisht me thellësi te "Durim Guraziu i çiltër"; biznesmeni buzëlepur, që të shkakton rrëqethje me bamirësitë e tij te “Buzëlepuri”; dhe pa dyshim dhe mbi të gjitha personazhi i skalitur mjeshtërisht Flatrin Ziu në novelën “Bar miu” janë “fytyra” që bartin drama të mëdha, tronditëse, por edhe të pangjshme. Të gjitha tregimet shquhen për thjeshtësi, por që ka brenda thellësinë dhe mjeshtërinë e përshkrimit; mesazhin e padiskutueshëm njerëzor dhe letrar dhe hijeshinë e padyshimtë gjuhësore. Disa prej tyre ngjasojnë edhe me skica apo etyde, por autori ka bërë kujdes që në secilën prej tyre të përcjellë një mesazh, të skalitur si në ikje e sipër, por bukur.

Tregimi “Largimi” ka si protagonist një besimtar mysliman, që kthehet në vendlindje pas një kohe relativisht të gjatë, por ndryshe nga çfarë e mendonte gjen një realitet tjetër, çka e detyron të hyjë në konflikt me familjen, të dashurit dhe të rikthehet sërish andej nga ishte shkolluar. Tregimi ka një psikologjizëm elegant. Natyrshëm vëmendja e lexuesit drejtohet te një pyetje që qëndron para shoqërisë sonë: a do të tundohet ajo në atë traditë të mrekullueshme shekullore të harmonisë së përkryer fetare, për të cilën është aq krenare dhe me të cilën i qetë botës një përvojë të rrallë? Përgjigjja është: po, shqiptarët do ta vijojnë atë traditë dhe dinë e dëshmojnë me aq mençuri se po e gjejnë shtegun që i ruan, përparon dhe ndriçon si dikur në kohën e rilindësve.

Në tregimin “Shegët e Moskës” flitet për një ish-të burgosur politik, që është dergjur qelive dhe skutave të hetuesive për një shkak në dukje fare banal: ka sharë shegët e Moskës, madje edhe më pak (edhe kjo në dukje), vetëm sa ka thënë se “në Bashkimin Sovjetik nuk ka shegë”. Teksa lirohet nga vuajtjet dhe persekucioni i gjatë, mëson se edhe personi që e kishte kallëzuar kishte vdekur gjithashtu në një burg tjetër, në atë të Sarandës. Nuk kishte bërë faj tjetër veçse kishte përsëritur fjalët për pamjen lakuriqe të gjërave në ish-BS. Gjithçka ngjan se rrotullohet pakapshëm, tronditshëm si një ëndërr e keqe, që shihet ashtu trazuarazi brenda një ëndërre edhe më të keqe…

Personazhi me inicialet M.K. në tregimin “Pse dashurojnë mesogratë” është një lloj donzhuani, por që ne nuk e përqeshim, as kemi fuqi ta dënojmë, vetëm se e shikojmë me dhembje përvojën e tij. Më shumë se historitë dashurore të tij, autori rreket të pohojë se femra, apo më mirë gruaja, e dobëta në dukje, në çfarëdolloj moshe, qoftë edhe e ndarë apo në një kokëçarje, ka gjithashtu një tis mrekullie edhe pas daljes nga rinia e saj. Por tregimi, edhe pse i shkurtër, nuk e mbaron këtu kumtin e tij. Ai thellë-thellë do të thotë: vitet japin plagë dhe dashuria pastaj ngjason paksa e plagosur...

Novelëza “Bar miu”, që është edhe kurora e krijimeve të këtij vëllimi, ka në qendër një personazh sa komik, të rrezikshëm aq edhe tragjik si Flatrin Ziu. Ai sikur përfaqëson energjinë e zezë të çdo kohe. I gjendur befas pa asnjë përkrahje dhe në një tranzicion që sti hedh sytë askush, i poshtëruar, i fyer, i uritur dhe mjeran edhe në shpirt, pa shtylla të forta të moralit njerëzor, Flatrin Ziu fillon të rimëkëmbet në një mënyrë sa të vaçantë aq edhe domethënëse për atë pjesë të përçudnuar të moralit për pasurim të rrufeshëm dhe kriminal në ditët e sotme, duke shitur helm për mbytjen e minjve, ose bar miu. Shpejt zbulohet se çdo të thotë një mirëqënie që ngrihet mbi helmin dhe vrasjen. Pak nga pak F. Ziu përmirëson jetën e tij të mundimshme, duke shkelur dhe duke kositur, ashtu si pa të keq, jetët e pafajshme të të tjerëve; blerësit që gjallojnë përditë në sallonin e tij më pak se për minjtë, tashmë interesohen për veten dhe kërkojnë të “shpëtojnë” duke u vetësakrifikuar me fostoksinë. Fshikullohet kështu një njeri i cili, edhe pse disi i detyruar, zgjedh armët më të zeza dhe më vrastare në luftën për jetën, gjë që përcakton pashmangshëm edhe fundin e tij. Pra, Flatrini smund të ketë veçse një fund tragjik, por autori po aq sa është i interesuar për fatin e një personazhi, për simbolikën tragjike të një morali pa moral, me këtë novelë më tepër bën thirrje për më shumë dashuri mes njëri-tjetrit dhe për ato përpjekje njerëzore që janë e kundërta e Flatrin Ziut dhe që të mbajnë më këmbë, të mbajnë njeri.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›