E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kule: UT-ja ka propozuar 7100 kuota pranimi

17/04/2009  AVA nxjerr të dhënat, futen në garën e studimeve të larta rreth 47 mijë kandidatë në të gjithë vendin

Fakultetet propozojnë kuotat e pranimeve të mundshme sipas kapaciteteve për vitin akademik që vjen. Kreu i Universitetit të Tiranës Dhori Kule në një prononcim për gazetën “Metropol” ka pohuar se janë propozuar kuotat e pranimeve për tetë fakultetet përbërëse të kësaj strukture. Në total janë kërkuar si kuota të mundshme rreth 7100 pranime të reja, këto të shpërndara sipas degëve përkatëse të fakulteteve, pjesa dërrmuese e kuotave i përkasin fakultetit të Ekonomikut, i cili edhe këtë vit do të pranojë më shumë studentë të rinj se institucionet e tjera.

Mundësitë

Krahasuar me një vit më parë, Kule deklaron se për vitin akademik 2009-2010 janë shtuar rreth 700 kuota pranimi më shumë të shpërndara sipas degëve. Ndonëse nuk është pohuar ende zyrtarisht, edhe për vitin e ardhshëm akademik nuk mund të ketë më shumë sesa 22 mijë kuota pranimi, që do ti kalojnë qeverisë për miratim, kjo pasi universitetet janë të tejmbushura për shkak të fluksit të madh të pranimeve të bëra në maturat e kaluara. Megjithatë, kërkesat për studime të larta këtë vit kanë shënuar rritje. Kjo faktohet me shifrat e publikuara nga AVA-ja në lidhje me aplikimet e bëra për dhënien e provimeve me zgjedhje nga kandidatët. Pas mbledhjes së të dhënave të depozituara nga të gjitha drejtoritë arsimore të vendit rezulton se rreth 47 mijë maturantë kanë aplikuar për ndjekjen e studimeve të larta. Kandidatët që dëshirojnë të vazhdojnë studimet në shkollat e larta duhet të plotësojnë edhe formularin A-2 brenda datës 30 qershor dhe ta dorëzojnë atë në komisionet shkollore të maturës shtetërore.

Shkollat

Brenda këtij muaji pritet që të bëhen publike edhe koeficientet e llojit të shkollave të mesme, të cilat do të miratohen nga MASH. Megjithatë, janë përcaktuar 5 koeficientet e llojit të shkollës së mesme, ku çdo degë e shkollës së lartë ka në dispozicion 5 koeficiente, nga 1.0 deri në 1.4 . (1.0, 1.1, 1.2, 1.3, 1.4), me të cilët vendos preferencën e saj për llojet e ndryshme të shkollave të mesme të grupuara në 10 grupe kryesore, që dallohen nga planet dhe programet që zbatojnë. Për provimet e këtij viti është përcaktuar që fatura financiare që duhet të shlyejnë maturantët për plotësimin e formularëve A-1 dhe A-2 të jetë 1500 lekë të reja.

Datat e provimeve

Tashmë janë përcaktuar edhe datat e zhvillimit të provimeve të maturës shtetërore. Periudha e zhvillimit të sesionit të parë të provimeve të maturës, si lëndët e detyruara, ashtu dhe ato me zgjedhje, do të jepen nga data 1 qershor deri më 10 korrik. Gjithashtu për provimet në shkollat profesionale 3-vjeçare dhe në nivelin e parë 3-vjeçar të shkollave profesionale 3+2- vjeçare janë caktuar datat 22 qershor - 1 korrik 2009. Kandidatët që do të rezultojnë mbetës gjatë sezonit të parë, mund ti rijapin në sezonin e vjeshtës. Për këta të fundit është vendosur që provimet të zhvillohen: letërsia dhe gjuha shqipe më 8 tetor 2009 dhe matematika më 15 tetor 2009. Provimet me zgjedhje do të jepen për të gjitha shkollat në të njëjtën ditë.

Kule

“Fakultetet tashmë i kanë dorëzuar propozimet e tyre pranë Universitetit të Tiranës në lidhje me kuotat e pranimeve për vitin akademik 2009-2010. Në total për Universitetin e Tiranës janë përcaktuar si pranime të mundshme bazuar dhe në kapacitete e fakulteteve rreth 7100 kuota, këto të shpërndara sipas degëve përkatëse. Krahasuar me kuotat e propozuara gjatë vitit të shkuar për këtë vit janë shtuar rreth 800 kuota më shumë të shpërndara në fakultete përkatëse. Ndërkohë që numrin më të madh të pranimeve, ashtu siç ndodh çdo vit, do ta ketë Fakulteti i Ekonomikut, ai i Drejtësisë, Shkencat e Natyrës etj. Kuotat e pranimeve janë propozuar pas rishikimit të kapaciteteve nga vetë institucionet e arsimit të lartë. Pavarësisht se bëjmë propozimet përkatëse, është Ministria e Arsimit ajo që do të marrë përsipër miratimin e këtyre kuotave, ndërkohë që nuk përjashtohet mundësia e shtimit apo pakësimit të tyre. Udhëzimi i është kaluar Ministrisë së Arsimit së bashku me kuotat e përcaktuara nga secili prej fakulteteve për pranimet e vitit të ardhshëm akademik.”

Afatet e formularit A-2

Udhëzohet që plotësimi i formularit, që zyrtarisht do të nisë në të gjitha shkollat e mesme gjatë muajit qershor, të bëhet me kujdes, në mënyrë që maturantët të listojnë ato degë ku kanë më shumë probabilitet për të fituar. Kjo procedure do të ishte e vlefshme vetëm pasi maturantët të njiheshin edhe me koeficientet e caktuara për llojet e shkollave të mesme, në mënyrë që të renditin degët ku mund të arrijnë pikët më të larta për tu shpallur fitues në universitetet publike, sipas kuotave të miratuara. Nga 10 degë që mund të zgjedhin, nxënësit do të shpallen fitues vetëm në një degë, në degën e tyre të preferuar, të përcaktuar me plotësimin e saktë të formularit A-2. Ky i fundit para se ti jepet nxënësit, do të plotësohet me përgjegjësi dhe pa korrigjime fillimisht nga mësuesi kujdestar, i cili plotëson notën mesatare, vetëm më pas maturanti rendit 10 preferencat e tij.

Renditja e programeve të studimit

Caktimi i specialistëve të arsimit pohojnë se kandidatët duhet të nisin procedurën e plotësimit të formularit të preferencave vetëm pasi të jenë njohur me notat e provimeve të detyruara, që do ti japin në dy javët e para të muajit qershor. Kjo pasi vetëm në këtë mënyrë ata do të jenë në gjendje që të bëjnë vetë përllogaritjet e duhura për të caktuar si dhjetë preferenca degët ku kanë më shumë probabilitet për të fituar. “Para se të renditni preferencat, duhet të bëni një llogaritje të përafërt të pikëve që keni grumbulluar nga rezultatet e mesatares së shkollës së mesme dhe provimeve të detyruara në gjuhë -letërsi dhe matematikë. Pas kësaj konsultohuni me Guidën e Maturës Shtetërore 2008 pikët minimale për çdo program studimi që kanë bërë fitues kandidatët e një viti më parë. Në këtë mënyrë ju do keni një ide se çfarë programesh studimi duhet të zgjidhni brenda 10 të mundshmeve”, - këshillojnë specialistët.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›