Stoiçkov, federata e mbron

"Gazeta Sporti"- Hristo Stoickov mori mbështetjen e Federatës Bullgare të Futbollit, pas kritikave të shumta dhe kërkesës për t'u larguar nga drejtimi i kombëtares, teksa skuadra e tij barazoi 0-0 me Shqipërinë të mërkurën.
Trajneri, i cili dështoi në përpjekjen për ta kualifikuar skuadrën në Gjermani 2006, është prej kohësh në shënjestrën e medias dhe të tifozëve, të cilët janë shumë të pakënaqur nga paraqitjet zhgënjyese të skuadrës.
"Tifozët kanë të drëjtën të kërkojnë dorëheqjen e Stoickovit, por ky vendim, pra ndryshimi i trajnerit, nuk është cështja e ditës. Ne duhet të pranojmë faktin se në fushë ishin lojtarët dhe jo trajneri", tha zv/presidenti i federatës dhe bashkëkohësi i Stoickovit në Bullgarinë e viteve të arta, Jordan Leckov.
Tifozët e mërzitur kërkuan me ngulm largimin e futbollistit më të madh në historinë e futbollit bullgar, pasi skuadra kombëtare është në vendin e tretë në Grupin G dhe rrezikon seriozisht mospjesëmarrjen në EURO 2008.
Hollanda kryeson grupin me 14 pikë (e vetmja skuadër që ka zhvilluar 6 ndeshje, të tjerat nga 5) dhe ndiqet nga Rumania me 11 pikë. Bullgaria ka 9 pikë.
"Ne kemi ende shanse për t'u kualifikuar. Ka akoma ndeshje për t'u luajtur dhe do të bëjmë më të mirën tonë për të luajtur në EURO 2008", tha Stoickov.
I adhuruar gjatë karrierës si futbollist, ish-"Topi i Artë", zuri vendin e Plamen Markovit, pasi kombëtarja e drejtuar nga ky i fundit bëri një paraqitje zhgënjyese në EURO 2004 në Portugali.