Stoja i sigurt: Në Pukë, Luftëtari dha maksimumin
Pas barazimit të marrë në transfertën e vështirë të Pukës, Luftëtari i Arjan Bellait ka nisur përgatitjet e tij për transfertën e dytë radhazi, atë me Dinamon në kryeqytet. Më pas tekniku Bellai ka bërë dhe një analizë të ndeshjes së luajtur të shtunën në Pukë, atje ku e ka përgëzuar skuadrën për pikën e marrë e më pas ka nisur stërvitja e menjëhershme. Për Gazeta e Sportit, ka folur kapiteni i Luftëtarit, Nertil Stoja. E kishim vlerësuar drejt kundërshtarin, pasi dhe vet e dinim se ndeshja me Tërbunin, në Pukë, do të ishte më shumë se e fort.
Ne u paraqitëm mjaft mirë në këtë sfidë dhe po të ishim më të kujdesshëm mund dhe të kishim fituar, sepse patëm disa raste, të cilat i humbëm. Por ky është futbolli, kur shënon nuk e merr atë rezultat që do. Megjithatë, unë si kapiten, jam i kënaqur për lojën që zhvilluam dhe dua të theksoj se në Pukë kemi gjetur një publik shumë të zjarrtë. Dhe në të tilla ndeshje, kur dhe loja ka nivel të pëlqyeshëm, edhe publiku kënaqet. Publiku ishte në lartësinë e duhur, teksa në disa momente ata na duartrokitën dhe neve për lojën e mirë që bëmë.
Kjo pikë e marrë tregon se, në takimet e tjera, jemi të aftë për çdo kundërshtar për të marrë rezultate pozitive. Nuk kemi pse ti gëzohemi shumë kësaj ndeshjeje, pasi ajo mbaroi. Luftëtari mori një pikë me vlera, por na del për detyrë që të përgatitemi më mirë për transfertën ndaj Dinamos. Nëse duam që të dalim fitues nga ajo sfidë, duhet të zbatojmë me përpikmëri detyrat e dhëna nga trajneri. Dhe nëse japim atë që paraqitem në Pukë, jo vetëm që nuk duhet ti trembemi kundërshtarit, por shpejt do të jemi dhe majën e renditjes, ka përfunduar Stoja.