E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Stoku i dosjeve në gjykata/ Qytetarët me sytë nga ndërmjetësimi

Nga 1 shtatori, dyert e Gjykatave dhe Prokurorive u hapën pas periudhës së pushimeve verore.

Harta e re gjyqësore hyri në fuqi më 1 korrik, që për një pjesë të qytetarëve përkthehet në kosto më shumë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve.

Në këtë situatë, procesi i ndërmjetësimit po tërheq çdo ditë e më shumë interesin e qytetarëve për zgjidhjen e konflikteve, si: pronësie, detyrimeve, kontratave, marrëdhënieve tregtare, të punës, familjare, pronësie, çështje penale etj.

“Ndërmjetësimi ka lindur për të ulur ngarkesën e gjyqësorit, por edhe për t’u ardhur në ndihmë qytetarëve që kanë konflikte dhe mosmarrëveshje. Këto konflikte zgjidhen nga 1 deri në 30 ditë me ndërmjetësim, duke ditur që në gjykatë shkojnë nga 7 deri 10 vite, sepse do kalohen të gjitha shkallët e gjyqësorit. Nuk merren dy avokatë nga të dyja palët, por një ndërmjetës për të dy. Jo vetëm që marrëveshja e arritur është titull ekzekutiv, por rregullohen edhe marrëdhëniet midis palëve,” thotë Drita Avdyli, kryetarja e Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësve.

Për personat në gjendje të vështirë ekonomike, ky shërbim ofrohet falas nga Dhoma Kombëtare e Ndërmjetësve.

“30 metra nga këtu kemi një zyrë, e cila është e sponsorizuar nga ADA. ne ndihmojmë njerëzit vulnerabël që nuk kanë mundësi pagese dhe mund ta marrin shërbimin falas. Një vendim gjykate është vendim ndëshkues, pra njëra palë fiton, njëra humb, ndërsa vendimet që merren me ndërmjetësim janë vendime restauruese,” shton Avdyli.

Sipas ekspertëve, parimet themelore të ndërmjetësimi janë vullneti i lirë, paanshmëria e ndërmjetësit, drejtësia dhe integriteti, barazia e palëve, konfidencialiteti dhe transparenca.

Gazetare: Flutura Tota

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›