E Diel, 1 Nëntor 2026

Stolaj: Shkrirja e bashkive rrezikon klubet sportive

TIRANË, 7 gusht /ATSH/ Sekretari i Departamentit të Sporteve në Partinë Demokratike, Albano Stolaj ngriti sot shqetësimin për pasojat që mund të ketë shkrirja e 15 bashkive të propozuara nga qeveria mbi klubet sportive dhe aktivitetin sportiv në qytetet që preken nga reforma territoriale.

Në një deklaratë për mediet, Stolaj tha se, komuniteti sportiv shqiptar pret prej vitesh miratimin e një Ligji për Sportin, që sipas tij do të krijonte kushte për financimin dhe zhvillimin e klubeve, si dhe mbështetjen e sportistëve e trajnerëve.

“Por, në vend të një reforme që i jep frymëmarrje sportit, qeveria e Edi Ramës propozon shkrirjen e 15 bashkive, duke vënë në pikëpyetje edhe të ardhmen e klubeve sportive që financohen dhe mbahen gjallë prej tyre”, deklaroi Stolaj.

Ai ngriti pyetjen se çfarë do të ndodhë me klubet sportive të bashkive që parashikohet të shkrihen, duke përmendur Turbinën e Cërrikut, Albpetrolin e Patosit, klubin e Maliqit, si dhe aktivitetin sportiv në Memaliaj, Dimal e Klos.

“Kur shuhet një klub, nuk humbet vetëm një ekip, por edhe një pjesë e identitetit të qytetit”, u shpreh Stolaj, duke theksuar se klubet sportive në qytetet e vogla janë pjesë e jetës sociale dhe u krijojnë fëmijëve e të rinjve mundësi për t’u marrë me sport.

Sipas tij, përpara zbatimit të reformës qeveria duhet t’u përgjigjet qytetarëve se kush do të financojë klubet pas shkrirjes së bashkive, kush do të marrë pronësinë dhe administrimin e tyre dhe çfarë do të ndodhë me stadiumet, pallatet e sportit, terrenet sportive dhe akademitë e të rinjve.

“Çfarë do të ndodhë me klubet dhe aktivitetin sportiv në Memaliaj, Dimal, Klos dhe qytetet e tjera që preken nga reforma?”, pyeti Stolaj, duke kërkuar garanci për vazhdimësinë e tyre.

Ai tha se PD e kundërshton reformën territoriale jo vetëm për atë që e cilëson si “hartë elektorale”, por edhe për pasojat që mund të ketë mbi identitetet lokale.

“Shqipërisë i duhet Ligji për Sportin, jo zhdukja e sportit nga qytetet”, përfundoi Stolaj.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›