Stoltenberg takohet me Vuçiçin: Ulni tensionet në veri të Kosovës, rifilloni dialogun

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stolteberg, ka deklaruar se tensionet mes Prishtinës dhe Beogradit duhet të zbuten në veri të Kosovës dhe që të dyja palët të përmbahen nga dhuna.
Në takimin e zhvilluar me presidentin e Serbisë Aleksandër Vuçiç, Stoltenberg ka theksuar se dialogu mes Kosovës dhe Serbisë duhet të rifillojë sa më parë.
“Ne besojmë se dialogu [mes Kosovës dhe Serbisë] duhet të rifillojë”, ka shtuar ai.
Stoltenberg ka bërë të ditur se NATO-ja ka rritur prezencën e misionit të saj në Kosovë, (KFOR-it), për shkak të tensioneve të fundit në veri.
“Ne do të vazhdojmë ta ruajmë paqen, siç e parasheh mandati ynë”, ka thënë Stoltenberg, duke shtuar se forcat e NATO-s do të jenë aty për ta kryer mandatin që e parashohin Kombet e Bashkuara.
Nga ana e tij, presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç është shprehur se është shumë i shqetësuar rreth zhvillimeve të fundit në Kosovë dhe i ka kërkuar NATO-s që përmes KFOR-it të ofrojë siguri për serbët që jetojnë aty.
“Jam shumë i shqetësuar për situatën në Kosovë. Ne nuk duam të luajmë lojën e fajit. Kjo po bëhet çdo ditë e më e rrezikshme.
Situata në veri të Kosovës, gjithçka që ndodhi është për shkak të qasjes së keqe të autoriteteve të Prishtinës, sepse donin t’i përjashtonin autoritetet serbe.
Në të njëjtën kohë ata arrestojnë në mënyra të ndryshme shtetasit serbë dhe i keqtrajtojnë pa marrë parasysh se ku jetojnë.
Deri më tani kemi pasur marrëdhënie shumë profesionale me forcat e KFOR-it, shpresojmë se do të të vazhdojë dhe se gjithçka do të realizohet sipas rezolutës 1244”, tha Vuçiç.
/rtsh.al/