Stoner thellon hendekun me Lorencon në Brno
Piloti australian i Hondas ka përfituar nga një gabim i spanjollëve Pedroza e Lorenco në xhiron e dytë, për të marrë kreun dhe për të fituar Çmimin e Madh të Çekisë
Nervoz? I pakënaqur? Kontradiktor? Kejzi Stoner fshin të gjitha pikëpyetjet të një fundjave anormale, fiton ÇM të Republikës Çeke në mënyrë bindëse dhe thellon diferencën e pikëve në Botëror me Lorencon, që përfundon i katërti dhe që zbret në -32 pikë nga lideri aktual. Australiani i Hondas duhet të falënderojë edhe shokët e tij të skuadrës e të Hondas: më parë Pedroza rrëshqet, ndonëse kishte qenë më i shpejti gjatë tërë javës, më pas dyshja trikolore Doviciozo-Simonçeli parakalon Lorencon dhe shndërrohen në aleatë të çmuar të Kejzit, që po jeton një moment magjik. Valentino Rosi e mbyll garën i gjashti, të njëjtin pozicion si edhe gjatë kualifikimeve, pa bërë ndonjë mrekulli dhe me një diferencë prej 12 sekondash nga Stoner dhe 5 sekondash nga podiumi i njerëzorëve Doviciozo e Simonçeli. Jashtëtokësori Stoner është vërtet shumë larg.
Me fikjen e semaforëve niset shpejt Pedroza nga poli, por pas pak kthesash Lorenco është në krye me Doviciozon që niset mirë nga vendi i shtatë dhe e gjen veten mes Hondas së Danit e Stonerit. Pas xhiros së dytë vijnë emocionet e para. Lorenco qëndron mbi motor pas ndihmës hyjnore, duke përdorur gjurin që të mos binte, ndërsa Pedroza bie e përfundon jashtë pistës. Në krye e sheh veten Stoneri që shkëputet nga trioja Lorenco-Doviciozo-Simonçeli, në luftë për podiumin. Spanjolli ka vështirësi me Yamahan e tij, që nuk është aspak e qëndrueshme dhe në një xhiro të vetme humbet dy pozicione në dëm të dy pilotëve italianë që e ndiqnin. Gara përfundon aty me Stonerin e pakapshëm në krye, Lorencon që dëshpërimisht kërkon të futet në podium, Doviciozon që forcon pozitat me këtë vend të dytë dhe Simonçelin, që arrin të bëjë kaq shumë me Gresinin e tij problematik.
ÇM i Çekisë
Piloti Motori Pikë
1) Kejzi Stoner Honda 25
2) Andrea Doviciozo Honda 20
3) Marko Simonçeli Honda 16
4) Horge Lorenzo Yamaha 13
5) Ben Spajs Yamaha 11
6) Valentino Rosi Ducati 10
Renditja e përgjithshme
Piloti Motori Pikë
1) Kejzi Stoner Honda 218
2) Horge Lorenzo Yamaha 186
3) Andrea Doviciozo Honda 163
4) Valentino Rosi Ducati 118
5) Daniel Pedroza Honda 110
6) Ben Spajs Yamaha 109