E Diel, 1 Nëntor 2026

Stonestreet Te nise sa me pare puna per reformen zgjedhore

Shefi i misionit të OSBE/ODIHR-it Jonathan Stonestreet ripërsëriti sot para mediave nevojën për nisjen sa më parë të punës për reformën zgjedhore, duke thënë se tashmë është koha për hapa konkretë. Pas takimeve të djeshme në Tiranë, Stonestreet tha se ndihej i kënaqur që të gjithë përfaqësuesit politikë e kanë mirëpritur raportin e misionit ndërkombëtar për zgjedhjet lokale të 8 majit, me vlerësimet dhe rekomandimet për zgjedhjet e ardhshme.

"Të gjithë përfaqësuesit politikë e kanë mirëpritur raportin përfundimtar, rekomandimet tona dhe janë dakord me to. Ne punuam shumë gjatë procesit të zgjedhjeve që të kishim një raport faktik e të besueshëm dhe rekomandime që do të vlenin. Besoj se është shumë e rëndësishme se për derisa ky raport mirëpritet nga të gjithë ai është një platformë e mirë për atë se çfarë do të bëhet tani e tutje", u shpreh Stonestreet në një takim të shkurtër me shtypin, në përfundim të vizitës së tij në Tiranë.

Duke iu referuar takimeve që zhvilloi dje me përfaqësues të spektrit politik, ai tha se të gjitha partitë janë të interesuara për të nisur procecin e reformës zgjedhore. "Ata na konfirmuan gjithashtu se janë të interesuar të fillojnë pa u ngutur nga puna që të kenë kohë të mjaftueshme deri në zgjedhjet e ardhshme parlamentare. Të gjithë ranë dakord që reforma zgjedhore të jetë një proces gjithëpërfshirës, që duhet të përfshijë jo vetëm partitë parlamentare, por dhe ato jashtë tij, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile që merren me çështjet zgjedhore", tha kryetari i misionit të ODIHR.

Duke theksuar se ka ardhur koha që të merren hapa konkrete në drejtim të reformës zgjedhore, ai konfirmoi gatishmërinë e ODIHR për të dhënë asistencën e tij, për sa kohë kjo do të kërkohet nga institucionet shqiptare.
"Asistenca që mund të japë ODIHR mund të jetë në formën e rishikimit të ligjt, të draft amendamenteve apo me ekspertizën e ofruar në tryeza të rrumbullakëta që mund të organizohen në Shqipëri. Besoj se të gjithë ndërkombëtarët janë të interesuar të bëjnë sa të munden që të rritet besimi i publikut tek zgjedhjet. Ky është vetëm fillimi, por e shoh si një shenjë pozitive", nënvizoi Stonestreet.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›