E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stop kurseve private! Mësuesit, konsultime me detyrim 5 herë në javë

Ministri i Arsimit dhe Shkencës, Myqerem Tafaj: Programe të plota për nxitjen e talenteve

Ministria e Arsimit nuk do të bëjë më “sehir” ndërsa mësuesit e gjimnazeve detyrojnë nxënësit të ndjekin kurse private. Përmes një rregulloreje të re, çdo ditë, të gjithë mësuesit duhet të planifikojnë një orë në ditë për konsultimet dhe veprimtaritë e tjera në shërbim të nxënësve. Ministri i Arsimit dhe Shkencës, z. Myqerem Tafaj, dje në analizën vjetore të Drejtorisë Arsimore të Qarkut Tiranë, siguroi që nxënësit që kanë vështirësi në përvetësimin e programit mësimor, të mosu drejtohen më kurseve private, por të ndihmohen në mjediset e shkollës.

Reforma

Për rreth 5 ditë në javë të gjithë nxënësit që mbesin mbrapa me mësime, do të kenë të drejtën e konsultimeve në mjediset e shkollës. Për këtë kreu i Arsimit, Tafaj, u shpreh: “Shkolla duhet të bëhet shtëpia e dytë për çdo nxënës. Ajo do të mbështesë, përmes konsultimeve të planifikuara, nxënësit që kanë vështirësi në përvetësimin e programit mësimor. Prindërit dhe nxënësit duhet të kenë besim tek shkolla dhe mësuesit e të mos u drejtohen më kurseve private. Ne nuk do të tolerojmë mësuesit të detyrojnë nxënësit të ndjekin kurse private, pasi nuk do të lejojmë që mësuesit që paguhen nga taksapaguesit, të zhvillojnë kurse private me nxënësit që shpesh i krijojnë vetë mungesat për të marrë nxënës në kurs, të gjithë nxënësit do të marrin kurset e nevojshme pa paguar asnjë lekë dhe prindërit duhet të na ndihmojnë për këtë”.

Po ashtu ministri i Arsimit kërkoi që të punohet më shumë me nxënësit. Si prioritet i Ministrisë në vijimësi Tafaj paraqiti dhe nxitjen e të rinjve në arsimin e mesëm dhe atë profesional.

Më tej ministri u kërkoi drejtuesve të shkollave se duhet të zhvillojnë programe të plota që nxisin talentet. Çdo nxënës duhet të ketë mundësi të jetë i përfshirë në një rreth lëndor apo shkencor. Nxënësit duhet të kenë mundësi për të zhvilluar veprimtari kulturore – sportive në shkollë. Është krejtësisht realiste që çdo ditë të gjithë mësuesit të planifikojnë një orë në ditë për konsultimet dhe veprimtaritë e tjera në shërbim të nxënësve. Ndërsa kërkoi që të punohet më shumë me nxënësit. Si prioritet i Ministrisë në vijimësi Tafaj paraqiti dhe nxitjen e të rinjve në arsimin e mesëm dhe atë profesional.

Analiza

Duke folur për zhvillimin e arsimit të mesëm në Drejtorinë Arsimore Rajonale të Qarkut Tiranë, Tafaj vlerësoi rritjen e pjesëmarrjes në arsimin e mesëm, e cila është aktualisht 84 për qind dhe kërkoi që brenda dy vjetësh të jetë së paku 90 për qind. Më tej ministri i Arsimit dhe Shkencës u ndal në zhvillimin me përparësi të arsimit profesional në këtë qark, ku nevoja është shumë e madhe, veçanërisht në bashkitë Kamëz dhe Vorë si dhe komunat Paskuqan, Kashar, Dajt dhe Farkë. Gjithashtu, ai siguroi pjesëmarrësit në konferencë për mbështetjen me përparësi të arsimit si dhe përgëzoi të gjithë drejtuesit dhe mësuesit e shkollave për punën e bërë deri tani në Tiranë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›