E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shpërblehen humbësit

Shtatë subjekteve politike që kanë garuar për herë të parë në zgjedhjet e fundit, por nuk arritën të fitojnë ulëse në Parlament, pritet t`iu ndahen afër 250 mijë euro. Kërkesën për këtë e ka bërë Alban Krasniqi, anëtari i Vetëvendosjes në KQZ. Ai ka thënë se kjo nuk ka të bëjë vetëm me ish-partinë FeR. Nga Faton Ismajli më 29 shtator 2011 në ora 12:33

Ilir Dedës dhe Shpend Ahmetit mund t’iu dalë punë prapë me ish-partinë e tyre FeR.

Për ish-subjektin e tyre politik, pritet të ndahen rreth 35 mijë euro nga buxheti i Kosovës, i paraparë për partitë e reja që janë certifikuar dhe regjistruar për herë të parë në zgjedhjet e fundit nacionale.

Zyra për Regjistrimin e Partive Politike pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ) ka konfirmuar se shumë shpejt do t`ua ndajë një pjesë të mjeteve FeR’it dhe gjashtë subjekteve të tjera politike që kanë garuar në zgjedhjet e fundit dhe që kanë qenë të regjistruara dhe të certifikuara për herë të parë.

Në listën e KQZ’së janë shtatë subjekte të reja që pritet t’i ndajnë 10 për qind të shumës totale të mjeteve (2.5 milionë) që u janë ndarë partive politike. Për secilin subjekt politik pritet të ndahen nga rreth 35 mijë euro.
Shefja e Zyrës për Regjistrimin e Partive Politike, Miradije Mavriqi ka konfirmuar se përpos FeR’it, këto mjete do t’iu ndahen edhe partive të tjera që janë regjistruar dhe certifikuar për herë të parë në bazë të Ligjit për financimin e subjekteve politike.

Ajo ka thënë se brenda këtij vitit, mjetet do të shkojnë në xhirollogaritë e subjekteve.

Në listën e KQZ’së si subjekte politike që kanë garuar për herë të parë janë: Partia Fryma e Re, SSDS’ja (Partia Social-Demokratike Serbe), PAI ( Partia e Ashkalinjve për Integrim), KTB (parti turke), LEK (Lidhja Egjiptase e Kosovës), SDSG (Partia Socialdemokrate e Gores) dhe Iniciativa qytetare Krahu i Popullit (GIKN).

Në Ligjin aktual për financimin e partive politike, në Nenin 10, sqarohet se 90 për qind e mjeteve që ndahen për subjektet politike u jepen atyre që kanë fituar vende në Kuvendin e Kosovës.

Po në këtë nen shpjegohet edhe ndarja e 10 për qind e mjeteve të tjera të parapara për financimin e aktiviteteve të subjekteve politike u jepen partive që garojnë për herë të parë në zgjedhje.

“Dhjetë për qind e mjeteve financiare ndahen proporcionalisht për subjektet politike të posaregjistruara dhe të certifikuara për zgjedhjet nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve”, thuhet në pikën 22 të Nenit 10 të Ligjit për financimin e partive politike.

Kërkesën për ndarjen e këtyre mjeteve për partitë politike e ka adresuar në KQZ, anëtari i Lëvizjes Vetëvendosje, Alban Krasniqi. Ai ka thënë për Express se kërkesa e tij është e bazuar në ligj dhe se nuk ka bërë kërkesë vetëm për një parti politike.

“Andaj, bazuar në këtë, subjekteve politike jashtëparlamentare të regjistruara dhe certifikuara për pjesëmarrje në zgjedhjet parlamentare 2010, duke përfshirë këtu edhe FER’in, u ndahen mjetet e caktuara për mbulimin e një pjese të shpenzimeve gjatë fushatës parazgjedhore, sepse secili subjekt politik gjatë kohës që ka funksionuar ka pasur të drejtat dhe obligimet, të cilat i takojnë edhe pas pushimit të funksionimit, por këto të drejta dhe obligime vlejnë vetëm për kohën kur subjekti politik ka funksionuar si i tillë”, ka thënë Krasniqi.

Ky zyrtar i Vetëvendosjes në KQZ ka thënë se tash çështja mbetet të Zyra për Regjistrimin e Partive Politike.

“Pra, ajo çka unë kam kërkuar ka të bëjë me zbatimin e Ligjit për financimin e subjekteve politike. Kjo është shtruar si çështje dhe këtu nuk është në pyetje nëse duhet apo jo të behet një gjë e tillë, pasi që është e paraparë me ligj, por tani çështja mbetet te Zyra për Regjistrimin e subjekteve politike pranë KQZ’së që është e thirrur për këtë çështje. Pra tani mbetet te shihet koha se kur kjo do zbatohet”, ka deklaruar ai.

Ndryshe, ditë më parë, pikërisht për shkak të mosmarrëveshjeve për mjetet që u ndahen partive politike, deputetët e Lëvizjes për Bashkim kanë ikur nga Grupi i deputetëve të Vetëvendosjes.

Ndërkaq, mjetet për Koalicionin për Kosovë të Re, që i ka nëntë deputetë, i kanë ndarë Partia e Behgjet Pacollit dhe ajo e Ferid Aganit.

Burime nga KQZ’ja kanë treguar se edhe brenda partive serbe ka probleme lidhur me ndarjen e mjeteve që u jepen partive politike nga buxheti i Kosovës.

Ligji aktual për financimin e partive politike pritet të ndryshohet, ku janë paraparë rregulla të reja për financimin e partive në Kosovë. Ky ligj ka kaluar leximin e parë në Kuvend dhe pritet që pas leximit të dytë të miratohet në Kuvend.

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›