Strategji pa imponim

Shefi i Zyrës Civile Ndërkombëtare në Kosovë, Pieter Feith, ka deklaruar se rreth Strategjisë për integrimin e pjesës Veriore të Kosovës në sistemin kosovar do të konsultohet me Beogradin dhe se zbatimi i saj nuk nënkupton zgjidhje të imponuar dhe as përdorimin e dhunës.
Në një intervistë për “Zërin e Amerikës”, Feith ka thënë se qëllimi i strategjisë është që të tentojë që qytetarëve të kësaj pjese të Kosovës t’u ofrohen kushte më të mira për jetë.
“Principi bazë është se ne do të kërkojmë që të pranohet dhe nuk do të imponojmë asgjë. Nëse ata nuk dëshirojnë t’i pranojnë shërbimet e reja, atëherë mirë, por nëse nuk ka interes, atëherë do ta shqyrtojmë serish vendimin tonë”, ka thënë Feith.
Sipas tij, përdorimi i forcës nuk ekziston si opsion dhe se në këtë çështje duhet shikuar “me kokë të ftohtë dhe vetëdije të pastër”.
“Dëshirojmë të forcojmë sundimin e ligjit, të përmirësojmë kushtet sociale dhe ekonomike për njerëzit, të cilët jetojnë në Veri dhe me vetë formimin e Komunës së Mitrovicës Veriore do të ofrohet mundësia dhe autonomi më e madhe për njerëzit të cilët jetojnë atje”.
Për më tepër, Përfaqësuesi Civil Ndërkombëtar ka vlerësuar se vendosja e pushtetit në Veri të Kosovës mund të zgjasë me vite.
“Kjo mund të zgjasë edhe më gjatë sesa qëndrimi im në Kosovë, kështu që do të konsultohemi me Beogradin në lidhje me secilin hap, të cilin planifikojmë ta ndërmarrim në pajtim me strategjinë”, ka theksuar Feith.
I pyetur se sa është larg Kosova nga aderimi në BE, Feith është përgjigjur se, “para Kosovës është një rrugë e gjatë, por me perspektivë”, ndërsa, sipas tij, njohja e Kosovës nuk do të jetë kusht formal për hyrjen e Serbisë në BE, por njëri nga kushtet do të jetë bashkëpunimi rajonal.
“Ajo që është thënë qartë, është se Serbia duhet të vendosë bashkëpunimin rajonal, pasi kjo do të jetë e dobishme për aspiratat e Serbisë”, ka theksuar Feith.
Qeveria e Kosovës konsideron se Strategjia për Veriun do t’u japë fund strukturave paralele, të cilat ekzistojnë në këtë pjesë të vendit që nga përfundimi i luftës.
Strategjia për shtrirjen e legjitimitetit të Kosovës edhe në pjesën veriore është në proces të hartimit, mbështetur në konsultat mes institucioneve vendore dhe partnerëve relevantë ndërkombëtarë.