E Shtunë, 31 Tetor 2026

Hallakatet në RTK

Deri në muajin qershor, të gjithë punëtorët e Radio Televizionit të Kosovës do të jenë pjesë e Qeverisë së Kosovës, të paktën në listat e pagave. Rrogën e ardhshme, drejtorët, redaktorët dhe gazetarët e RTK-së dhe punëtorët e tjerë, mund ta marrin nga buxheti i Kosovës, që menaxhohet nga Qeveria.

Kjo, pasi konto e RTK-së është mbetur tangall. Edhe pse të premten, Korporata Energjetike e Kosovës ka pranuar se RTK-së i ka hequr rreth 552 mijë euro borxh.

Të paktën kështu do të jetë deri në ndryshimin e nenit 20.1 të Ligjit për RTK-në që e ka kontestuar Gjykata Kushtetuese e Kosovës, e që ia ndalon RTK-së inkasimin e 3.5 eurove, përmes faturave të KEK-ut.

Që nga viti 2007, Kuvendi i Kosovës nuk ka ripërtërirë lartësinë e parapagimit, ndonëse kjo parashihet me ligj. Mbi këtë bazë ka ardhur edhe vendimi i Gjykatës Kushtetuese.

Më pas, edhe Komisioni i Pavarur për Media ka sjellë një rregullore që ia kufizon RTK-së reklamat. Rregullorja e KPM-së është bërë në kundërshtim me Ligjin e vetë KPM-së dhe me Ligjin për RTK-në.

Si rrjedhojë, RTK-ja është zhytur në një kolaps ekonomik dhe tani patjetër do t’i duhet një infuzion nga buxheti i Kosovës. Me këtë rast, Rrahman Paçarizi, kryetar i Bordit të Drejtorëve të RTK-së thotë se financimin e përkohshëm e kanë kërkuar nga Kuvendi i Kosovës, e jo nga Qeveria.

“Jo nuk janë rroga të Qeverisë. Kemi kërkuar nga Kuvendi i Kosovës që ta sigurojë këtë financim...Se nga i siguron Kuvendi i Kosovës këto mjete, kjo është një çështje që nuk e diskutojmë, meqë Kuvendi i Kosovës është themelues yni, e jo Qeveria”, shton ai.

Pavarësisht kësaj, një ditë kjo kërkesë do të përfundojë në zyrën e ministrit të Ekonomisë dhe të Financave, Ahmet Shala, i cili është pjesë e kabinetit qeveritar.

Sipas Paçarizit, periudha prej disa muajve do të shfrytëzohet për të amandamentuar Ligjin për RTK-në, që do t’i mundësojë financim nga dora e qytetarëve. Ai thotë se edhe Bordi i RTK-së është i pakënaqur lidhur me disa çështje që kanë të bëjnë me parapagimin, por beson se ato do të eliminohen shumë shpejt.

“Ne jemi të bindur se Kuvendi i Kosovë do të përmbushë kërkesën e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës dhe do të vendosë pro parapagimit”, thekson Paçarizi. Ai thotë se kjo çfarë është duke ndodhur me financimin e RTK-së nuk ka asnjë të bëjë me motive politike.

Friedhelm Frischenschlager, ish-anëtar i Bordit të RTK-së, nga viti 2004 deri në nëntor 2009, e quan të pakuptimtë vendimin e Gjykatës Kushtetuese të Kosovës, që ia ndalon RTK-së financimin përmes faturave të KEK-ut dhe ndalimin e reklamimit nga ana e Komisionit të Pavarur të Medieve.

“RTK-së i janë ndalur dy burimet kryesore për ekzistencë. Kjo që ka ndodhur në Kosovë, nuk do të mund të ndodhte kurrë në Austri. Por, kjo fatkeqësisht ka ndodhur”, thekson Frischenschlager, i cili ka qenë edhe ministër i Mbrojtjes i Austrisë.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës urgjentisht duhet të gjejë një zgjidhje afatgjate për financimin e RTK-së, në mënyrë që të ruhet pavarësia editoriale, e cila me këto vendime të fundit është rrezikuar.

Por kjo, sipas kryetarit të Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal dhe Media në Kuvendin e Kosovës, Esat Brajshori, nuk mund të ndodhë para muajit mars.

Ai paralajmëron se tash e tutje mund të ndodhë që çdo vit, Kuvendi i Kosovës të përcaktojë shumën që qytetarët duhet të paguajnë për RTK-në. Lartësia e pagesës do të varet nga plani financiarë që RTK-ja do të jetë e obliguar të paraqesë çdo vit, para Kuvendit të Kosovës.

Gjykata Kushtetuese ka kërkuar shikimin e natyrës së nenit 20.1 të Ligjit të RTK-së. Ky nen ka të bëjë në mënyrë eksplicite me përcaktimin e lartësisë së tarifës së RTK-së.

“Lartësia e taksës duhet të shqyrtohet çdo vit dhe kështu do të jetë tash e tutje shpresoj”, shton Brajshori.

Sipas tij, Kuvendi i Kosovës nuk vendos mbi modalitet e mbledhjes së parapagimit, por vetëm mbi lartësinë e taksës. Derisa vetë RTK duhet të lidhë marrëveshje me ndërmarrje të tjera për mbledhjen e parapagimit. Dhe për këtë, Rrahman Paçarizi, kryetar i Bordit të RTK-së tashmë ka gjetur partnerin e duhur. Ai është partneri i vjetër - KEK-u, por në një mënyrë shumë më transparente se në të kaluarën.

RTK-ja tash e disa vjet ka qenë nën trysninë e Korporatës Energjetike të Kosovës, për të ndërprerë financimin njëkohësisht me faturat e KEK-ut. Ekspertë të medieve kanë vlerësuar më parë se financimi i RTK-së përmes buxhetit të Kosovës do të ishte cenim i rëndë ndaj pavarësisë editoriale.

Edhe Unioni Evropian i Transmetuesve Publikë ka kërkuar një financim të RTK-së, përmes parapagimit nga qytetarët, si forma më e mirë, për të ruajtur pavarësinë dhe paanshmërinë editoriale.

Nenet e kontestuara nga Gjykata Kushtetuese

20.1. Kuvendi i Kosovës merr vendim mbi caktimin e parapagimit për transmetuesin
publik. Lartësia e parapagimit për transmetimin publik do të jetë 3.5 € (tre euro e
pesëdhjetë cent) në muaj dhe do të zbatohet për së paku një vit nga dita e hyrjes në fuqi e
këtij ligji.

20.2. Pas kësaj periudhe, lartësia e parapagimit mund të ndryshohet nga Kuvendi i
Kosovës, në bazë të propozimit nga Bordi i RTK-së, pasi që të jetë konsultuar me KPM-në.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›