Strauss Kahn “irriton” Greqinë
Ka shkaktuar reagime dhe polemika të mëdha në Greqi, deklarata e kreut të FMN Dominik Shtraus Kahn, sipas së cilës Jorgo Papandreu kishte kërkuar ndihmë jo-zyrtarisht nga FMN, që në nëntor të vitit 2009.
Kreu i FMN-së në një intervistë me Canal +, në Francë, disa javë më parë tha se marrëveshja me Greqinë përfundoi në fshehtësi absolute për 15 ditë.
“Nuk e teproj kur them se, kur FMN erdhi në Greqi, marrëveshja u mbyll për 15 ditë. Kjo ndodhi sepse kishim punuar për muaj të tërë me autoritetet greke dhe këtë e bëmë në mënyrë të nëndheshme. Pse e bëmë? Sepse autoritetet greke e kërkonin ndërhyrjen e FMN-së, por Papandreu për arsye politike nuk donte t’ia tregonte atë popullit te tij.
Papandreu më kishte marrë shumë herë në telefon që nga nëntori i 2009 duke më thënë se kemi nevojë për ndihmë", ka deklaruar Strauss Kahn.
Ministri grek i Zhvillimit, Krisohoidhis tha se Strauss Kahn është një politikan me përvojë. "Pse vallë ai i thotë tani këto? Strauss Kahn “do që të heqë nga vetja peshën e Greqisë”, ngaqë po përballet me sulme në Francë, ku është kandidat për kryetar i Partisë Socialiste dhe kërkon të bëhet edhe president i Francës”, tha Krisohoidhis.