E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strauss-Kahn: Jap dorëheqjen, jam i pafajshëm

Drejtori i FMN-së Dominique Strauss-Kahn i arrestuar në SHBA, pasi mendohet të ketë përdhunuar një punonjëse hoteli, ka dhënë dorëheqjen nga posti i tij, duke deklaruar se është i pafajshëm. Në letrën e tij personale të dorëheqjes, drejtuar Fondit Monetar Ndërkombëtar, Dominique Strauss-Kahn shpreh keqardhjen e thellë për zhvillimet rreth personit të tij. "Jam pafundësisht i trishtuar", shkroi francezi, sipas të dhënave të FMN-së. Dhe më tej, në letrën e tij thuhet: "Në këtë moment mendoj në radhë të parë për gruan time, që e dua më shumë se gjithçka tjetër, për fëmijët e mi, për familjen time, për shokët e mi!" Strauss-Kahn i mohon qartë të gjitha akuzat e ngritura kundër tij. Faktin që ai liron vendin e tij në FMN, ai nuk do që ta kuptojnë si pranim faji. E paqartë është, se kush do ta pasojë në detyrë në FMN francezin. Në të kaluarën Strauss-Kahn ka theksuar vazhdimisht, se e konsideronte të duhur, që pasardhësi i tij të ishte nga një vend në industrializim e sipër dhe jo nga Europa. Deri tani, FMN-ja është drejtuar gjithnjë nga një europian dhe Banka Botërore prej një amerikani, por kohët e fundit vendet me ekonomi në ekspansion si Kina, Brazili dhe India kanë ngritur pretendime për të dyja postet e drejtorëve në Uashington. Ndërkohë, deri sa të jetë emëruar një drejtor i ri, punët e FMN-së i drejton amerikani John Lipsky.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›