E Shtunë, 31 Tetor 2026

Xhepa kundër tatimit progresiv, financat të mos merren me të

SHKRUAN: Sabina Veizaj 20-05-2011 10:52

Tatimi progresiv minon sistemin e ngritur fiskal deri më tani. Deputeti demokrat, njëkohësisht ekspert në fushën e ekonomisë, është kundër draftligjit për tatimin progresiv të kompanive të mëdha në vend, njëkohësisht ai shprehet dhe se situata postzgjedhore do të ndikojë negativisht në ekonominë e vendit. Xhepa është shprehur për “MAPO” se Ministria e Financave ka bërë shumë mirë që e ka tërhequr atë projektligj dhe nuk duhet ta nxjerrë më as të rishikuar. “Zbatimi i tatimit progresiv hedh poshtë taksën e sheshtë, që ishte një revolucion i qeverisë në fushën e politikave fiskale. Taksa e sheshtë ka pasur shumë sukses dhe i ka sjellë të ardhura buxhetit të shtetit. Unë jam kundër tatimit progresiv, kështu, gjykoj se Ministria e Financave ka bërë shumë mirë që e ka tërhequr si draftligj dhe bën mirë që të mos merret më me të” - u shpreh deputeti demokrat, Selami Xhepa për “MAPO”. Në këtë mënyrë, ai mendon se duhen gjetur rrugë të tjera që të lehtësojnë konsumatorin shqiptar nga çmimet e larta të produkteve dhe shërbimeve që ofrojnë kompanitë e mëdha të huaja në Shqipëri. Draftligji në fjalë parashikon tatimin mbi fitimin që rritet në mënyrë progresive, në raport me të ardhurat. Sipas këtij draftligji, kompanitë e mëdha tatohen sipas fitimit të tyre, në mënyrë progresive, nga 10-30 për qind. Duke iu referuar të dhënave të administratës tatimore, mbi qarkullimin vjetor dhe taksat e paguara për vitin 2009, janë 100 kompani të mëdha që ushtrojnë aktivitet ekonomik në Shqipëri. Ndërkohë që Ministria e Financave ka analizuar përqindjen e rentabilitetit të tyre, që është raporti i fitimit të tatueshëm ndaj totalit të ardhurave të tatueshme. Në këtë mënyrë, nga studimi i të dhënave, rezulton se 9 kompani në Shqipëri aplikojnë përqindje rentabiliteti, nga 30%, në 70%, dhe 6 kompani aplikojnë përqindje të rentabilitetit, nga 20% deri në 30%. Këto kompani ushtrojnë aktivitete ekonomike në sektorë të ndryshëm të ekonomisë. Gjithashtu, duke iu referuar draftligjit, nuk njihen si shpenzime të zbritshme shpenzimet e një kompanie për bonuse dhe shpërblime, të cilat për shkak të shumave të larta, ndikojnë ndjeshëm në uljen e masës së fitimit të tatueshëm. Për këtë arsye propozohet, që shpenzimet për bonuse/shpërblime, përveçse pagës së tetëmbëdhjetë, të mos njihen si shpenzime të njohura për efekte fiskale, ne sektorin financiar. Të gjitha këto masa merren për tatuar më tepër kompani, që kanë fitime shumë të mëdha. Deri tani, aplikohej taksë e sheshtë, ku tatim-fitimi ishte në masën 10 për qind, për të gjitha kompanitë.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›