E Shtunë, 31 Tetor 2026

Strehimi, 5022 kërkesa pranë njësive bashkiake

31/03/2010 Aplikimet për tu bërë pjesë e programeve të strehimit social

Shtohen çdo ditë e më tepër kërkesat e qytetarëve për t’u bërë pjesë e programeve të strehimit social. Sipas të dhënave të hedhura në programin elektronik ku janë regjistruar të pastrehët e kryeqytetit, rezulton se në Tiranë janë plotësuar nga ana e qytetarëve 5022 formularë në të 11 njësitë bashkiake gjatë viteve të fundit, për t’u bërë pjesë e programeve të strehimit. Ndonëse fluksi i kërkesave pëson rritje të vazhdueshme, vetëm një pjesë shumë e vogël e tyre mund të përfitojnë nga tri programet e strehimit social. Kjo, pasi buxheti i vënë në dispozicion të kësaj kategorie është i kufizuar përballë fluksit të kërkesave që pëson rritje të vazhdueshme me kalimin e ditëve.

Aktualisht janë tri programe sociale të parashikuara në ligj, për të cilat janë bërë aplikime të shumta. Kanë kërkuar banesë me kosto të ulët 4221 aplikues, kanë kërkuar banesë sociale me qira 708 aplikues, si dhe kanë kërkuar tokë të pajisur me infrastrukturë 93 aplikues. Nga të dhënat e deritanishme rezulton se numri më i lartë i kërkesave të qytetarëve që duan të trajtohen me strehim i përket dy minibashkive, asaj nr. 2 me 618 aplikues, si dhe bashkisë numër 11, e cila po ashtu ka një fluks të lartë aplikimesh me rreth 672 kërkesa. Ndërsa pranë njësisë bashkiake numër pesë janë në pritje të sigurimit të banesave sociale të njërit prej programeve të mësipërme rreth 516 persona. Mesatarja e numrit të pjesëtarëve të familjeve aplikuese është 3.2 anëtarë për familje.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›