E Shtunë, 31 Tetor 2026

Prezantohet projekti për sigurinë kufitare

01/04/2010 Kryepolici Burgaj: Kemi bllokuar shumë drogë dhe arrestuam autorët

Cosslett: Kufiri kusht, për liberalizimin e vizave

TIRANE- Ka nisur faza e përfundimtare e projektit për përforcimin dhe kontrollin e trafiqeve, projekt ky që financohet nga qeveria italiane. Gjatë takimit Drejtori i përgjithshëm i Policisë Hysni Burgaj është shprehur se faza e projektit do të ndikojë në rritjen e mëtejshme të luftës kundër krimit të organizuar dhe në zhvillimin e aksioneve të përbashkëta antitrafik. Ndërkohë që përfaqësuesja e përhershme e PNUD në Shqipëri, Gulden Turkoz-Cosslett, u shpreh se ky projekt do të ndikojë në luftën e mëtejshme kundër krimit duke qenë se siguria e kufijve është një nga kushtet kryesore për liberalizimin e vizave të Shqipërisë me vendet e tjera të Bashkimit Evropian. Ky projekt është ndarë në tre faza, ku mësohet se e para dhe e treta është financuar nga qeveria italiane, ndërkohë që faza e dytë është financuar nga buxheti i qeverisë gjermane. Shefi i Zyrës së Bashkëpunimit Italian në Shqipëri, Flavio Lovisolo, evidentoi jo vetëm rëndësinë e madhe që ka ky projekt në veçanti, por edhe suksesin e bashkëpunimit me palën shqiptare. Gjithashtu Lovisolo garantoi mbështetjen e vazhdueshme të qeverisë italiane në këto sektorë. Drejtori i përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Hysni Burgaj, theksoi se rezultatet pozitive të këtij projekti vihen re edhe në operacionet e suksesshme antidrogë dhe antitrafik të muajve të fundit, në përfundim të të cilëve janë sekuestruar sasi të konsiderueshme mariuane dhe heroine, si dhe janë arrestuar apo shpallur në kërkim autorët e veprave penale. Gjithashtu, nga ana e policisë kufitare janë goditur në disa raste fenomene të kontrabandimit të njerëzve duke arrestuar edhe autorët. “Forcimi i kapaciteteve operacionale dhe teknike të strukturave të luftës kundër krimit të organizuar dhe të kufirit e migracionit ka qenë dhe mbetet prioritet i yni, i cili është pasqyruar edhe në planifikimin e fondeve të mjaftueshme për këtë qëllim. Por, një komponent tjetër, të cilit i është kushtuar vëmendje e veçantë është trajnimi i personelit në kuadër të marrëdhënieve dypalëshe, të iniciativave rajonale, shkëmbimeve të eksperiencave apo vizitave studimore, si dhe në kuadër të projekteve të tilla”, theksoi Burgaj. Vlerësime për këtë bashkëpunim janë dhënë edhe nga të pranishmit, të cilët theksuan kontributin e këtij projekti në forcimin e kapaciteteve të strukturave vendore të policisë shqiptare në luftën kundër drogës dhe trafiqeve të paligjshme.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›