Strehimi i afganëve, Rama për “Il Foglio”: Mikpritja është detyra jonë

Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetën italiane “Il Foglio” shpjegon vendimin e tij për të hapur dyert për afganët që largohen nga vendi i tyre. “Është historia jonë ajo që na e imponon. Ne e kemi parë luftën dhe kemi ende kujtime për të”, theksoi kryeministri Rama. “Nëse Europa është e ndarë edhe mbi Afganistanin është sepse nuk e mban më mend atë që ishte”, thotë kryeministri Rama. “Kreu i qeverisë socialiste thotë fjalë të qeta dhe të sakta, ato të atyre që besojnë se kanë bërë gjënë më të natyrshme në botë duke qëndruar në anën e duhur të historisë”, thuhet në artikullin e “Il Foglio”.
“Ne italianët e lamë një vit më parë, me atë fjalimin me të cilin ai ofroi ndihmën e mjekëve shqiptarë për vendin tonë të rraskapitur nga pandemia. Sot kryeministri është përsëri atje, në gjendje të flasë me të gjithë…, dhe njofton se si shteti i tij i vogël, pak më i madh se Lombardia, është gati të presë disa mijëra refugjatë afganë”, vijon artikulli. “Ne po flasim për 2-3 mijë persona”, shpjegoi kryeministri kryeministri Rama.
Në Itali, nënvizon gazeta, udhëheqësi i partisë kryesore që mbështet qeverinë flet për “disa dhjetëra”. A duhet që Europa, dhe Italia në veçanti, të marrin një mësim nga Tirana? “Nuk dua t’i jap mësime askujt, e lëre më Italisë, me të cilën jam shumë i lidhur. Por, unë them se mikpritja është detyra jonë. Sepse mbaj mend se çfarë ishte për ne shqiptarët”, shprehet Rama. Dhe ndoshta nga këtu vjen natyrshmëria e fjalëve të kryeministrit. “Mbaj mend luftën, mbaj mend Millosheviçin, refugjatët, vdekjen, torturat. Dikur ne shqiptarët ishim për ju ata që afganët janë ndoshta sot, alienë”, tha kryeministri Rama.