E Diel, 1 Nëntor 2026

Strehimi social, Ibrahimaj: 663 familje do të përfitojnë nga fondi prej 700 milionë lekësh

TIRANË, 1- shtator/ATSH/ Një fond prej 700 milionë lekësh do të alokohet për përmirësimin e kushteve të banimit për 663 familje në të gjithë vendin, ndërsa 26 nga 33 bashkitë që aplikuan në programin për përmirësimin e kushteve të banesave janë shpallur fituese.

Kështu deklaroi sot ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj gjatë prezantimit të Programit Kombëtar të Strehimit për Shqipërinë, Rilindja 2.0, ku është i pranishëm edhe Kryeministri Edi Rama.

Në fjalën e saj Ibrahimaj theksoi se “që nga viti 2018, kur paketa ligjore e strehimit u miratua, deri më sot janë rreth 30 mijë familje shqiptare të cilat janë mbështetur nëpërmjet politikave të ndryshme të strehimit. Pra, 30 mijë familje do të thotë rreth 100 mijë banorë të cilët kanë përfituar nga politika subvencionesh, kryesisht, por jo vetëm”

“Sot do të shpallim fituesit e programit për përmirësimin e kushteve të banesave. Janë 33 bashki të cilat kanë aplikuar në këtë program dhe 26 prej tyre u shpallën fituese. Një fond prej 700 milionë lekësh do të alokohet për të përmirësuar kushtet e banesave për 663 familje në të gjithë vendin, të cilat sigurisht janë familje dhe kategori në nevojë, sigurisht sipas logjikës së programit të strehimit që ne kemi zbatuar deri tani”, tha ajo.

Ministrja Ibrahimaj u shpreh se “ne kemi pasur ndër vite kredi të lehtësuar për 7219 familje. Kemi pasur subvencionime qirash për 14,512 familje. Kemi ndërtuar 1058 banesa sociale dhe kemi përmirësuar banesat për 6078 familje shqiptare në të gjitha bashkitë e vendit. Ndërkohë, ka pasur dhe disa programe të cilat bashkitë i kanë mirëpritur për përmirësimin e kushteve të infrastrukturës në zona të cilat kanë qenë më të prapambetura nga ana e investimeve dhe janë 1378 ndërhyrje që ne kemi bërë gjatë tre viteve. Vetëm në vitin 2026 kemi hapur, para disa javësh, 300 kuota për kredi me normë interesi zero për punonjësit e administratës publike”.

Sipas saj, gjatë vitit të kaluar janë 2000 kuota të cilat janë shpërndarë dhe po vazhdojnë të shpërndahen nëpër bashkitë e vendit për kredi me normë interesi të lehtësuar prej 3%.

Ndërsa këtë vit, tha Ibrahimaj, bashkia e Tiranës ka shpallur thirrjen për 1500 kuota të tjera për kredi me normë interesi të lehtësuar.

Më tej ministrja Ibrahimaj, deklaroi se realiteti i Shqipërisë ka ndryshuar ndjeshëm që nga viti 2018, kur u miratua paketa ligjore për strehimin.

“Që nga viti 2018, kushtet e Shqipërisë kanë ndryshuar. Realiteti sot është komplet tjetër. Zhvillimi ekonomik, zhvillimi social, zhvillimi urban na ndikojnë që ne të mendojmë për një politikë të re strehimi”, tha Ibrahimaj.

Ajo theksoi se kanë ndryshuar qytetet, tregu i punës dhe, mbi të gjitha, tregu i banesave, ndërsa të dhënat e Censit 2023 japin një panoramë të re demografike të vendit.

Sipas saj, Shqipëria ka sot më pak banorë, por më shumë familje, ndërsa numri i familjeve shqiptare është rritur me 4.7% gjatë 11 viteve.

“Nëse në vitin 2011 madhësia e familjes shqiptare ishte mesatarisht 3,9 banorë, sot është me 3,2 banorë dhe peshën më të madhe të familjeve e zënë familjet me dy anëtarë dhe jo familjet me katër anëtarë, siç ishte më parë. Nga ana tjetër, përqendrimi i popullsisë, ka ndryshuar lëvizjet migratore të popullsisë. Tirana është padyshim vendi me popullsinë më të dendur, me 32% të popullsisë së vendit, por edhe zonat e tjera të banuara kanë pasur një rritje të përqendrimit të popullsisë”, nënvizoi Ibrahimaj.

Nga ana tjetër, shtoi ajo, kemi një rritje të fortë të çmimeve, të ndikuar kryesisht nga kërkesa e lartë për banesa, por jo vetëm për banesa në qendrat e banuara, por edhe për banesa në qendra turistike të cilat janë zhvilluar kohët e fundit.

“Çmimet e banesave, sigurisht që janë të ndikuara nga kërkesa dhe oferta, por ndërkohë ka nevojë për një politikë e cila i ndikon çmimet e banesave, me qëllim që të mos kujdesemi vetëm për qytetarët që janë të shtresave në nevojë, por të kujdesemi edhe për çiftet e reja, të kujdesemi për mjekun, mësuesin apo punonjësin e policisë që duhet të jetojë pranë vendit të punës, për të riun që largohet nga qyteti për të kërkuar një vend pune më të mirë në një qytet tjetër dhe për një pjesë të shtresës së mesme që, në fakt, nuk konsiderohet vulnerabël, por ka nevojë për një tjetër mbështetje dhe për një tjetër lloj politike strehimi, që nuk është vetëm strehim social, por është strehim i përballueshëm”, tha Ibrahimaj.

Prandaj, u shpreh Ibrahimaj, ne duhet ta zgjerojmë konceptin e politikës sonë të strehimit dhe duhet të kalojmë nga një sistem ku kemi një numër instrumentesh të fragmentuara, në një sistem kombëtar të integruar të strehimit.

Ministrja Ibrahimaj bëri të ditur se “do ta fillojmë nga një arkitekturë më e qartë institucionale, ku ministria do të bëjë rolin e vet politikbërës. Agjencia e Zhvillimit të Territorit do të zgjerojë kompetencat e saj dhe do të jetë krahu teknik i zbatimit të politikave të ministrisë, e cila do të identifikojë tokat publike, do të ndërtojë një pipeline kombëtar të projekteve, do të lidhë strehimin me zhvillimin urban dhe do të strukturojë edhe projektet që do të zbatohen nga bashkitë”.

“Bashkitë, sigurisht që janë krahu i qeverisjes në territor, do të identifikojnë nevojat, por gjithashtu edhe terrenet dhe territoret, në bashkëpunim me Agjencinë e Zhvillimit të Territorit. Ndërkohë, Enti Kombëtar i Banesave do të transformohet në një shoqëri publike, e cila do të ndërtojë, por edhe do të menaxhojë të gjitha ndërtesat që ndërtohen për qëllime jo vetëm sociale tashmë, por edhe për qëllim të strehimit të përballueshëm”, tha ajo.

Ibrahimaj vuri në dukje se “nëse sot ne kemi akumuluar një fond të konsiderueshëm nga 3%-shi që akumulohet nga zhvilluesit, jo vetëm në para, por edhe në sipërfaqe, ky 3% do të mblidhet në një fond kombëtar për strehimin social të përballueshëm, i cili do t’i bashkohet buxheti i shtetit për strehimin. Fondit që alokohet për strehimin do t’i bashkohet gjithashtu administrimi i stokut të banesave. Tashmë, të ardhurat nga qiratë apo nga shitjet e banesave të përballueshme do të ripërdoren përsëri për politika të strehimit dhe nuk do të shkojnë më në buxhetin e shtetit për t’u përdorur për politika të tjera”.

“Nëse ne sot kemi rreth 82% të familjeve shqiptare që e posedojnë një banesë, mesatarja e Bashkimit Europian është 68%. Ne duam të vijojmë të ruajmë këtë arkitekturë, ndonëse zhvillimet ndikojnë që ne të shkojmë drejt Bashkimit Evropian dhe drejt asaj shpërndarjeje që Bashkimi Evropian ka. Ndaj dhe ne kemi përgatitur një paketë ligjore dhe shumë shpejt do të dalim me instrumentet të cilat do të lançojmë”, tha Ibrahimaj.

/k.s/

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›