E Diel, 1 Nëntor 2026

Stresi e ndotja, më pak mundësi për shtatzanitë natyrale

30/01/2012  Problem edhe konsumi i lartë i duhanit e alkoolit

Metodat e reja. Në rritje numri i çifteve që kërkojnë asistencën mjekësore për të sjellë në jetë një fëmijë

Përballja me probleme të shumta në jetën e përditësime, niveli i lartë i ndotjes, konsumi në sasi të larta i alkoolit dhe duhanit, krahas sëmundjeve të shumta që shkaktojnë në organizëm, po bëhen pengesë për shumë çifte që duan të sjellin në jetë një fëmijë. Mjekët gjinekologë pohojnë se gjatë viteve të fundit edhe vendi ynë po përballet me shifra të larta të pamundësisë së çifteve për të sjellë në jetë fëmijë në kushte natyrale. Çdo ditë e më tepër, shumë çifte kërkojnë asistencën mjekësore për të shtuar mundësitë e arritjes së një shtatzanie. Përveç faktorëve biologjikë, si mosha apo infeksionet seksualisht të transmetueshme, që bëhen pengesë për shtatzëni normale, ndikim negativ po jep dhe niveli i lartë i stresit dhe ndotjes, si dhe përdorimi pa kriter i duhanit apo alkoolit. Kjo ka bërë që shumë prej tyre të kërkojnë ndihmën e mjekëve, duke përdorur metodat e reja, siç është fekondimi artificial, metodë që së fundi po përdoret edhe në vendin tonë.

Shkaqet

Mjekja gjinekologe pranë maternitetit "Koço Glozheni", Mirela Rista, konfirmon se shkaktarët biologjikë që po ndikojnë te femrat për këtë fenomen shqetësues janë mosha dhe infeksionet seksualisht të transmetueshme. Megjithatë, jo në çdo rast janë femrat ato që përballen me probleme që shkaktojnë pamundësinë e sjelljes në jetë të një fëmije. Kështu, edhe meshkujt bëhen shkak, ku përveç faktorëve biologjikë, që ndikon tek infertiliteti i tyre, janë dhe ata të jashtëm, si alkooli dhe duhani, stresi e ndotja. Në këto kushte, mjekët nuk rekomandojnë pirjen e alkoolit. Meshkujt nuk duhet të pinë në mënyrë të tepruar, sepse rrezikojnë dëmtimin e spermës. Gjithashtu edhe duhani dihet që shkakton infertilitet dhe menopauzë të parakohshme te femra dhe probleme me spermën te meshkujt, si dhe pakëson shanset për sukses të mjekimeve për fertilitet. "Ndër faktorët që sot akuzohen si shkaktarë të infertilitetit te femrat përveç moshës së tyre mbi 35-vjeç janë dhe shkaktarët që lidhen me infeksionet seksualisht të transmetueshme. Problemi i infertilitetit mund të jetë edhe me natyrë mashkullore. Mund të jetë partneri që për një problem të shëndetit të tij, i lidhur me numrin, me pamundësinë e lëvizshmërisë së rregullt të spermatozoideve apo me ndryshime të strukturës së formës së tyre, të mos ketë mundësi që të arrijë një fekondim", - shton mjekja Rista.

Fekondimi artificial

Duke u vënë përballë këtyre kushteve, shumë prej çifteve i drejtohen ndërhyrjes së mjekëve, ku falë fekondimit artificial mund të sjellin në jetë një fëmijë. Aplikimi i kësaj metode tashmë është shtrirë edhe në shumë klinika që operojnë në vendin tonë, e cila u ka ardhur në ndihmë shumë çifteve për plotësuar dëshirën e tyre dhe familjen me fëmijë. "Ofrimi i mundësisë për një fekondim invitro në pamundësi të arritjes së këtij fekondimi në rrugë natyrale në çift është një nga zgjidhjet që u ofrohet çifteve që e kërkojnë një shtatzëni. Këto procedura janë të shëndetshme, sepse bëhen në kushte të garantuara për shëndetin e nënës dhe shumica e rasteve, të themi një në tri nga këto çifte gëzon me një shtatzëni të tyre në saje të këtij evoluimi që ka bërë sot mjekësia gjinekologjike", - shton mjekja Rista. Sipas të dhënave të bëra publike nga strukturat shëndetësore, konfirmohet që në vendin tonë operojnë rreth 10 klinika private që ofrojnë fekondim të asistuar, shërbim i cili ofrohet në bashkëpunim ndërmjet mjekëve shqiptarë dhe atyre të huaj. Ndërkohë pritet përfshirja e kësaj metode edhe në sistemin publik.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›