E Shtunë, 31 Tetor 2026

Stritz: “Malta e lë Shqipërinë në vendin e fundit”

Dash Frashëri

Malta është një nga tri skuadrat anti-Shqipëri në eliminatoret e Kampionatit Botëror të Minifutbollit për zonën europiane (takimet luhen në Maltë në shkurt të vitit 2008). Në grupin 7 bëjnë pjesë Sllovenia, Malta, Greqia dhe Shqipëria. Takimi i parë i skuadrës sonë është ai kundër Sllovenisë, më 28 shkurt, për të vijuar me Maltën (29 shkurt) dhe Greqinë (më 2 mars).
Kundërshtarët tanë më të lehtë në letër, Malta, besojnë se mund ta lënë kombëtaren e Edi Martinit në vendin e fundit në grup. Një mendim të tillë e shpreh edhe trajneri i përfaqësueses së Maltës, Michael Striz.
"Jemi shumë optimistë se mund të fitojmë me Shqipërinë duke e lënë atë të fundit në grup", - tha trajneri cek për "Albania"-n, gjatë bisedës me Gjergji Bitrin, gjyqtarin ndërkombëtar shqiptar me banim në Maltë.
"Favoritë në grupin tonë janë Sllovenia dhe më pas Greqia ", - shtoi Striz. Sllovenia është më e forta e grupit, pasi dhe skuadra helene është duke e ripërtëritur grupin e lojtarëve.
"Shqipëria është pak a shumë e nivelit të Maltës", – theksoi trajneri Striz, i cili mesa duket nuk ka informacion të plotë për skuadrën tonë.
Malta ka bërë një lloj progresi në një vit jetë të kombëtares së saj, por, sipas Bitrit, një njohës shumë i mirë i futbollit në sallë është shumë larg nivelit të minifutbollit shqiptar.
"Unë mendoj se Shqipëria ka për ta mundur mjaft lehtë Maltën", - shton Gjergji, i cili i njeh shumë mirë të dy ekipet. "Më vjen keq që kampionatit shqiptar i janë mbyllur dyert e pallateve të sportit".
Futbolli i sallës në Maltë është ndarë në katër kategori, ku në të parën bëjnë pjesë 13 ekipe që luajnë me sistem vajtje-ardhje. Të gjitha ndeshjet luhen një pallatin e sportit "Corradino", atje ku do të zhvillohen edhe eliminatoret e Botërorit. Në këtë pallat sporti prej 4 vjetësh luhet vetëm minifutboll.
"Kategoria e dytë është ndarë në 2 grupe me 7 skuadra, takimet luhen po në pallat sporti. Kategoria e tretë dhe e katërt ndeshjet i zhvillon në fusha kacetoje me bar artificial. Niveli përgjithësisht është i ulët", - thekson Bitri.
Skuadrat më të mira në Maltë janë European Pilot Academy (aktualisht në vend të parë) që është e përbërë vetëm me lojtarë me kombësi serbe (për minifutbollin s'ka kufizime për numrin e lojtarëve të huaj), pastaj janë Aluserv dhe Jeepers (kampione në fuqi). Një tjetër skuadër e njohur është edhe El Mundos ku lujnë ish-futbollistë të shquar të Maltës e midis tyre edhe shqiptari Edmond Lufi.
"Malta nuk ka asnjë lojtar profesionist", - shton Gjergji Bitri, i cili si gjyqtar me stemën e FIFA-s drejton edhe ndeshjet më të rëndësishme të kampionatit maltez, në të gjitha kategoritë, por dhe finalet e kampionatit dhe të Kupës së Maltës në katër vitet e fundit.

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›