E Shtunë, 31 Tetor 2026

Konkursi, Rruga e Durrësit kthehet në bulevard

Bashkia mbyll konkursin për formulimin e planit rregullues në zonën E. Plani synon krijimin e një rajoni të ri me sipërfaqe 206 mijë m2

Bulevard të tipit “Avenue”, shkolla të reja, plani në zonën e rrugës së Durrësit përfshin edhe ndërtimin e një parkimi nëntokësor

Rruga e Durrësit, nuk do të shikohet më thjesht si një arterie parazitare, e mjaftueshme vetëm për lëvizjen e automjeteve nga njëri krah në tjetrin. Shumë shpejt kjo pjesë e rrugës që shtrihet në zonën Veri-Perëndimore të kryeqytetit do të kthehet në një bulevard të tipit “Avenue”. Bashkia e Tiranës ka mbyllur ditën e djeshme konkursin për formulimin e planit rregullues në të ashtuquajturën zonë E, me sipërfaqe 206 mijë m2, që shtrihet menjëherë pas përfundimit të dy akseve kryesore, autostradës Tiranë-Durrës dhe aksit që lidh Tiranën me pjesën Veri-Lindore të vendit. Plani synon që ta kthejë zonën e banimit në rrugën e Durrësit në një rajon të ri bazuar në një plan urban zhvillimi të standardeve europiane. Rëndësi në këtë plan rregullues do t’i jepet krijimit të një zone urbane tepër energjike, ku element kyç do të jetë përqasja e rrugës, si hapësirë publike; distanca të shkurtra dhe një numër i gjerë shërbimesh të ndryshme të cilat do e kthenin këtë “Rajon” në një qendër tepër atraktive, duke garantuar ngjyrime të ndryshme të jetës së përditshme. Në lidhje me politikën e saj për të përmirësuar cilësinë e jetës në këtë zonë, Bashkia e Tiranës do t’i kushtojë rëndësi krijimit sikurse e theksuam të një bulevardi tip “Avenue” në rrugën e Durrësit, po kështu ndërtimit të një zone të pasur me funksione publike, mini-lulishte, fusha sporti, objekte sociale etj., rritjes së rolit të këmbësorit si edhe krijimit të një parkimi publik.

Në lidhje me zhvillimin e qëndrueshëm në këtë zonë,Bashkia e Tiranës do t’i kushtojë rëndësi bashkëpunimit dhe koordinimit të objektivave dhe vizionit të Planit të ri Rregullues të qytetit, me objektivat dhe vizionin e zhvillimit të zonës në fjalë, duke e kthyer këtë projekt në një ndër projektet pilot që do të mund t’i paraprijë zhvillimeve ekonomike, sociale e kulturore të një shoqërie në zhvillim si ajo e qytetit të Tiranës. Për këtë arsye në formulimin e planit rregullues për zonën Bashkia e Tiranës do të përkushtohet në përdorimin ekonomik dhe inteligjent të tokës së lirë. Qëllimi i dytë dhe shumë i rëndësishëm është ulja e përdorimit të makinave dhe rritjes së rëndësisë së këmbësorit, duke i dhënë rrugës karakteristikat e një bulevardi. Synimi tjetër është integrimi sa më i mirë i Unazës dhe rrugës së Durrësit, duke propozuar zgjidhje që riunifikojnë zonën. Bashkia e Tiranës informon se ndërhyrjet urbane në këtë zonë do të kenë në konsideratë të veçantë impaktin ambiental në zonë. Gjithashtu, zhvilluesit privatë që do të veprojnë në këtë zonë do të kontribuojnë në zhvillimin e zonës në përgjithësi. Sipas Planit rregullues ekzistues, në limitet e kësaj zone do të kalojë Unaza e Jashtme e Qytetit dhe aksi kryesor i hyrjes në Tiranë (rruga e Durrësit) ku në perëndim të zonës ndodhet mbikalimi i Kamzës, ndërsa në kufirin jugor, kryqëzimi në nivel i Unazës së Madhe me rrugën e Durrësit. Si rrjedhojë e trafikut të dendur, në të dy këto akse, do të kërkohet që të dyja rrugët të kenë rrugë shërbimi. Në pjesën jug-lindore të zonës do të kihet në konsideratë vendndodhja e një parkimi publik. Po në këtë pikë do të rezervohet dhe hapësira për një terminal të linjave interurbane.

Zhvillimi urban në zonën E, nuk do të jetë thjeshtë ndërhyrje në infrastrukturë. Nga pala investitore do të parashikohet që në zonën qendrore, të ngrihet edhe një qendër tregtare. Investimi do të jetë i mundur edhe falë pozicionit që ka zona qendrore e cila për nga shtrirja e sipërfaqes dhe nga pozicioni që ka lidhet direkt me aksin kryesor që është rruga e Durrësit. Kjo zonë mendohet të bëhet funksionale me ndërtimin e një sërë objektesh të tjera, çka mund ta bëjnë funksionale si: ndërtimi i një kinemaje, park dhe fusha sportive, hipermarket, fittnes, kafeteri, restorant etj. Po në këtë zonë, e cila pritet të ketë ndryshim rrënjësor është parashikuar ndërtimi i një hoteli, i cili do të jetë një nga elementët identifikues më të rëndësishëm të zonës në tërësi. Duke iu referuar rregullores së Urbanistikës dhe mungesës së objekteve sociale në rajon, në këtë zonë është parashikuar që të ngrihet edhe infrastruktura e plotë arsimore si 2 kopshte, 2 çerdhe, 1 shkollë 9-vjeçare, 1 shkollë e mesme të cilat detyrimisht duhet të jenë publike. Njëkohësisht Bashkia e Tiranës ka vendosur edhe kushtin që parkimi jo vetëm të jetë nëntokësor, por të plotësojë nevojat e zonës në kuotën 100 për qind, si dhe të sigurojë vendet e nevojshme për popullsinë që do të vizitojë këtë zonë, përkatësisht në qendrën tregtare. Së fundi, në zonën e banuar do të parashikohen edhe rrugët për shërbimin e zjarrfikëseve dhe emergjencave duke i dhënë dimensionin e duhur urban zonës E.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›