E Diel, 1 Nëntor 2026

“Strukturat e reja drejtuese sigurojnë që PD të jetë forcë e parë në Kolonjë”

Dega e Partisë Demokratike zgjedh kreun dhe strukturat e reja drejtuese
 
KOLONJE - Dega e Partisë Demokratike në rrethin e Kolonjës, pas analizës së punës në Kuvendin e 10-të, zhvilluar gjatë ditës së djeshme, zgjodhi përmes një procesi konkurrues strukturat e reja drejtuese dhe kryetarin e kësaj dege, Viktor Duro.
I deleguar nga kryesia qendrore e PD-së ishte Sekretari i Përgjithshëm i kësaj force, Ridvan Bode, i cili vlerësoi punën e bërë në këtë degë dhe faktin se Partia Demokratike pas katër vitesh, ndodhet në një stad të ri në rrethin e Kolonjës në nivel lokal, pasi nga 2 komuna të fituara nga PD para vitit 2007, sot demokratët qeverisin në 5 njësi vendore.
Bode vlerësoi bashkëpunimin me Partinë Demokrate të Re, për të cilën siç u shpreh ai “i kemi pranuar mes nesh si të barabartë mes të barabartëve, pjesë e kompeticionit më të madh politik edhe në Kolonjë”.
Duke u ndalur në arritjet e qeverisjes së PD-së, Bode tha se “Partia Demokratike në të gjitha nivelet, përmes një konsultimi të gjerë vëren se po zbaton programin e saj ambicioz të investimeve”, ndërsa premtoi shtimin e tyre.
Ai shprehu bindjen, se strukturat e reja të dala nga Kuvendi i 10-të i Partisë Demokratike për Kolonjën do të bëjnë të mundur që kjo forcë politike të jetë e para në këtë rreth.
Në Kuvendin e 10-të të degës së Partisë Demokratike për rrethin e Kolonjës, morën pjesë 150 delegatë, nga vota e të cilëve dolën strukturat drejtuese në nivel rrethi. Për postin e kryetarit të Degës së PD në rrethin e Kolonjës, kandiduan Sulejman Ago, Miranda Zyberi, Viktor Duro dhe Vladimir Përdhiku, të cilët, pasi lexuan platformat e programeve të tyre, kërkuan votat e delegatëve kolonjarë duke premtuar ndershmëri e përkushtim në postin e kryetarit të degës së PD. Pas votimit, kryetar i ri i degës së PD në Kolonjë, u zgjodh Viktor Duro.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›