Londër, 80 shqiptarë që akuzohen për krime, me pasaportë angleze
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ahmet Premçi thekson se në një pjesë të mirë të rasteve, gjykatat kanë penguar procesin e ekstradimit
Media angleze shkroi dje se, në Britani strehohen një numër i madh personash që kanë probleme me drejtësinë e mes tyre dhe 80 shqiptarë që janë të kërkuar për krime të ndryshme. Në një shkrim të sajin, e përditshmja “The Telegraph”, shkruan se, Britania e Madhe po kthehet në një vend të populluar nga kriminelët, të cilët kanë aplikuar për të fituar azil në këtë shtetet. Sipas saj, pjesa më e madhe e këtyre personave janë shqiptarë, të cilët me identitet të rremë, të ikur nga lufta Ballkanike, jetojnë në Angli. Gazetave britanike “The Telegraf” shkruan se “80 vrasës shqiptarë janë të mirëpritur në Britani”. Në shkrim theksohet se megjithëse janë të kërkuar nga “Interpoli” shumë kriminelë nga Shqipëria mund të lëvizin të lirë, pasi kanë marrë nënshtetësi britanike. Qeveria angleze po merr masa ndaj këtij fenomeni, duke siguruar me tepër kufijtë e saj. Drejtori i Përgjithshëm i Policisë Ahmet Premçi deklaroi se “ne kemi hartuar një listë të shtetasve shqiptarë që fshihen në Britani”. “Janë 100 kriminelë dhe më shumë se 80 përqind e tyre kërkohen për vrasje dhe janë dënuar në mugesë. Jemi të shqetësuar se gjykatat rregullisht kanë refuzuar ekstradimin e kriminelëve. Nuk ka arsye që një shqiptar që ka kryer krim, të mos ndëshkohet”, ka thënë Premçi, për një tjetër media britanike. Shumica e shqiptarëve të kërkuar pretendojnë të jenë refugjatë të konkfliktit në Kosove dhe që nuk mund të kthehen atje.