E veshin Prometeun

Ishte organi gjenital i Prometeut pjesa që po i nervozonte kalimtarët. Kështu që, disa shoqata joqeveritare i nisën një ankesë komunës Qendër të Shkupit, përmes së cilës kërkonin që të “intervenohej pjesërisht” në skulpturën e Zotit të Zjarrit.
Edhe pse, vërejtja më e madhe e shoqatave kishte të bënte me atë që skulptura nuk është dashur që të vendosej fare brenda parkut kushtuar grave luftëtare të Luftës së Dytë Botërore.
Dy ditë më vonë, me pajtimin e autorit të skulpturës, Toma Adzievski, Prometeut iu “veshën” një palë brekë bakri, të cilat tani mbulojnë pjesën “e diskutueshme” të trupit të tij.
Ndryshe, skulptura e Prometeut është vetëm njëra nga skulpturat dhe monumentet e shumta që tashmë janë vendosur nëpër qendër të Shkupit, në kuadër të projektit Shkupi 2014 – i cili, sipas shumë analistëve të huaj dhe të vendit, Shkupin dita ditës po e shndërron “në një luna-park unik”.