E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët: Rinia po i bie fyellit, duam vende pune

Studentët e Universitetit të Prishtinës, kanë zhvilluar sot, një aksion simbolik para Qeverisë së Kosovës. Me fyella në dorë ata kanë hedhur në oborrin e qeverisë “diploma” ku shkruhej “Njëri nga mijëra studentët e diplomuar dhe të papunë”.

Studentët kanë kërkuar sistem më të mirë të arsimit të lartë në vend dhe vende të punës për të diplomuarit, duke reaguar për trajtimin që shteti po u bën studentëve dhe rinisë.

Aktivisti i Klubit Politik të studentëve, Durim Xhemajli, ka thënë se e vetmja rrugë që po ju tregohet studentëve është ajo e migrimit dhe degjenerimit social.
“Po reagojmë për mirëqenien sociale dhe politike të studentëve të diplomuar të cilët pas studimeve detyrohen të bredhin rrugëve . Studentët dhe rinia po i bien fyellit , nuk na është ofruar ardhmëri, as punë as shpresë”, ka thënë Xhemajli.

Ai e ka quajtur sistemin e arsimit të lartë në Kosovë, “sitem i mykur i komercializmit”

“Shteti i ka fajet e gjithë kësaj gjendje në sistemin e mykur të komercializmit dhe arsimit të lartë si pjesë kapitalizmit të egër që po ushtrohet mbi popullin tonë në të gjitha format shoqërore e politike. Prandaj, rinia ka dalur këtu në shesh para qeverisë për të treguar se nuk jemi studentë që indoktrinohemi brenda mureve të sallave të mësimit por jemi student që tërheqim lokomotivën e shoqërisë”, ka shtuar Xhemajli.

Studentët kanë thënë se nuk do të ndalen dhe do të vazhdojnë “luftën” për një arsim emancipues./Indeksonline/
 

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›