E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Studentët e AFA: Dituria dhe atdhedashuria, shtyllat që mbajnë një komb në këmbë

TIRANË, 7 mars /ATSH/ Ministri i Mbrojtjes, Pirro Vengu uroi sot 7 Marsin, Ditën e Arsimtarit.

Teksa ndau në rrjetet sociale një mesazh nga pedagogët dhe mësuesit e Mbrojtjes, Vengu shprehu mirënjohje dhe respekt për të gjithë mësuesit që me përkushtim shtrojnë rrugën e të ardhmes së brezave të rinj dhe kombit tonë.

“Edukimi ushtarak synon disiplinën, përgjegjësinë dhe detyrën. Integrimi në programet mësimore të Akademisë së Forcave të Armatosura të lëndëve si filozofi dhe logjikë, synon orientimin e studentit ushtarak drejt gjykimit të arsyeshëm”, u shpreh Marsida Heta, doktorante dhe pedagoge në AFA.

“Falënderojmë të gjithë pedagogët ushtarakë dhe civilë për përkushtimin, angazhimin dhe dijen e marrë prej tyre”, u shpreh një studente.

“Një falënderim i thellë shkon për pedagogët tanë, të cilët me punën e tyre të shkëlqyer na ndihmojnë neve në formimin si ushtarak ashtu edhe si studentë”, u shpreh një tjetër student i AFA.

Nënkolonel Alban Bega, shef departamenti në AFA iu drejtua studentëve duke thënë se “është një nder i madh për mua, t’ju arsimoj, t’ju edukoj, t’ju sjell objektivat që duhen për të ardhmen tuaj. Ju keni si qëllim t’i shërbeni atdheut me përkushtim, me ndërgjegje, por duke na marrë edhe ne si shembull”.

“Mësuesi është ai që gjërat e mëdha na i bën të duken edhe më të lehta”, u shpreh një studente.

“Mësuesi është si qiriri, ai sakrifikon jetën e tij për brezin e ardhshëm”, tha një tjetër student.

Profesor Edmond Baneshi, pedagog në AFA, u shpreh se, “pedagogët e rinj jo vetëm t’i duan studentët, por të krijojnë hapësirat e mundshme për çështjet që do trajtojnë, për debatet dhe për mendim kritik”.

“Arsimi është arma më e fuqishme që mund ta përdoresh për të ndërtuar botën”, tha një studente.

“Respekti për mësuesin është respekti për dijen dhe të ardhmen”, tha një tjetër student në AFA.

Një tjetër studente u shpreh se, “mësues nuk është thjesht ai që mëson, por ai që frymëzon”.

“Dituria dhe atdhedashuria janë shtyllat që mbajnë një komb në këmbë”, u shpreh një student nga Kosova.

Kolonel Arjan Osmani, dekan i AFA u shpreh se, “arsimi është shumë i rëndësishëm për ekzistencën e një kombi. Ky fakt merr një vlerë të patjetërsueshme në qoftë se flasim për arsimin e lartë ushtarak”.

“Një mësues i mirë është ai që ndriçon mendjen dhe frymëzon shpirtin luftarak”, u shpreh një studente.

/a.f//r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›