E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e dhjetorit i kërkojnë Edi Ramës të votojë tre ligjet

09-12-2012 / Gazeta 55

Përkujtohet dita e 8 dhjetorit e vitit 1990. Imami: Azem Hajdari, është figurë kryesore në Shqipëri si prijësi i lirisë

Është përkujtuar dhe nderuar dita e 8 dhjetorit e vitit ‘90 nga grupimi i studenteve të atij viti. Fryma dhe ideali i grupimit të dhjetorit, duke u ngritur mbi thundrën e shtypjes ndaj regjimit komunist, përkujtohet si dita e lirisë dhe e rikthimit të dinjitetit njerëzor në Shqipëri. Në këtë mbledhje ku nuk mungonin figura të rëndësishme të vendit dhe ish studentë të atyre viteve, është nderuar dhe vlerësuar tribuni i lirisë Azem Hajdari.
Në fjalën e tij ministri Imami u shpreh se Azemi është figura e dytë kryesore në Shqipëri si prijësi i lirisë, pas babait të shtetit Ismail Qemalit.
“Pa dyshim që Azem Hajdari ishte dhe  është një njeri i madh, për historinë tonë kombëtare dhe jam gjithashtu i sigurt se emri, zulma dhe vepra e Azem Hajdarit do të ketë akoma edhe një vlerësim e më të madh”, theksoi Imami. 
Më pas Imami vuri në dukje se  “falë këtij grupimi, falë Arben Brocit dhe Kalorësit Legjendar të lirisë, Azem Hajdarit, sot flamuri i Skënderbeut është përkrah flamurit të Bashkimit Evropian, NATO-s dhe SHBA-ve. Shqipëria si e gjithë Evropa, apo Kosova e Pavarur janë meritë e këtij grupimi”, vijoi Imami, duke sqaruar se liria që fitoi vendi 22 vite më parë i dha mundësi vendit tonë të marshojë drejt Bashkimit Evropian, si dhe të luante një rol thelbësor në pavarësinë e Kosovës.
Ndërkohë pjesëmarrësi i grupimit të dhjetorit, ish-studentit i Universitetit “Eqrem Çabej”, në Gjirokastër, Roland Bejko, duke kujtuar idealet e 22 viteve më parë për ta bërë Shqipërinë si Europa, në formën e një peticioni, i kërkoi politikës shqiptare mosbllokimin e marrjes së statusit kandidat për në Bashkimin Europian. Ai kërkoi votimin e tre ligjeve nga ana e politikës, duke iu drejtuar veçanërisht Partisë Socialiste dhe kreut të saj Edi Rama.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›