Studentët i refuzojnë dialogun, Rama nxjerr sërish gurët e betonit para Kryeministrisë dhe kërcënon të rinjtë: Kush e mori peng Tiranën do përgjigjet ligjërisht! Keqkuptim që do kthehet në mësim
Studentët vazhdojnë të refuzojnë dialogun me kryeministrin Rama, ndërkohë që ky i fundit sërish ka nxjerrë para kryeministrisë gurët e betonit me shënimin “dialog”.

Kreu i qeverisë ka përsëritur thirrjet për dialog, por ndërkohë ka kërcënuar ata të rinj, që sipas tij morën peng kryeqytetin, duke thene se do të përgigjen penalisht.
Rama akuzoi organizatorët se kanë eksportuar atë që e cilësoi si “terrorin e ANTIFAs” dhe se kanë përdorur studentët për qëllime të tjera.
“Përsëri e përsëri, e përsëri ftesa për dialog dhe gatishmëria për të qenë me këdoqoftë që kërkon dhe beson në dialog është këtu. Jam i gatshëm kudoqoftë në çdo vend, në çdo orë me ata që besojnë se Shqipëria duhet bërë më e mirë dhe se Shqipëria bëhet më e mirë me njerëzillëk, me shkëmbim dhe ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta. Kundërshtia e dhunshme, kundërshtia me forcë, kundërshtia që bie ndesh me fillin e arsyes, nuk i impohohet dot domosdoshmërisë për dialog, për ballafaqim pikëpamjesh sado të kundërta dhe për bashkëjetesë demokratike në një vend ku e kaluara nuk ka asnjë shans që të kthehet dhe kush e mori peng kryeqytetin duke eksportuar këtu terrorin e ANTIFA- s dhe duke bërë këtu lojën e të tjerëve në emër të studentëve e duke u vënë në ballë të studentëve përmes fytyrës së mbuluar duhet ta di se do të përgjigjet. Do të përgjigjet ligjërisht, do të përgjigjet penalisht, do të përgjigjet sipas shkallës së shkeljes së bërë, sipas shkallës së keqkuptimit të madh“, tha Rama.
Rama theksoi se askush nuk mund t’i imponojë vullnetin një populli të tërë përmes dhunës, gurëve dhe zjarrit, duke nënvizuar se rruga e Shqipërisë drejt integrimit evropian do të vijojë.
“Keqkuptimi i madh ky që të mendosh se mund t’i imponohesh një populli të tërë, mund t’i imponohesh një komuniteti të tërë, mund t’i imponohesh familjeve të zakonshme të këtij vendi që duan të shkojnë në punë me gjuhën e gurit dhe të zjarrit. Keqkuptim shumë i madh që do të kthehet në një mësim shumë të rëndësishëm për këdo që besoi se përmes këtij keqkuptimi do të ndryshonte rrugën e Shqipërisë. Rruga e Shqipërisë nuk ndryshon. Shqipëria do të vazhdojë drejtë dhe Shqipëria do të çojë atje në majën e ëndërruar flamurin e Ismail Qemalit dhe Skënderbeut dhe Shqipëria do të jetë pjesë e atij Bashkimi Europian që nuk e pengojnë dot forcat që janë përfshirë në këtë zullum të madh.”, u shpreh kreu i qeverise.