E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët në Shkup ende pa zgjidhje: Ligji na lejon provimin e jurisprudencës në Gjuhën Shqipe

Gjashtë ditë pasi studentët shqiptarë protestuan për të dhënë provimin e jurisprudencës në gjuhën shqipe, të cilën e cilësojnë të  drejtë themelore, ende

nuk ka patur asnjë vendim. Kryeministri Hristijan Mickoski ka deklaruar se po punohet për zgjidhje e në vijim ka patur edhe debate në kuvend.

Sipas studentëve, të lënë tashmë në pritje, kjo e drejtë është mohuar prej vitesh.

“Kemi  patur deklaratën e kryeministrit i cili tha që po punojmë për të zgjidhur çështjen. Nga ana e përfaqësuesve shqiptarë fatkeqësisht nuk kemi marrë përkrahjen e nevojshme sa i përket kësaj çështjeje po presim të rikujtohen dhe të bëhen më mbështetës. E organizuam për shkakun që të na lejohet edhe pse ligjërisht e kemi të lejuar që provimin e jurisprudencës, studentët shqiptarë t’i nënshtrohen në gjuhën e tyre amëtare. Kërkesa jonë është në përputhje me kornizën kushtetuese dhe ligjore në Maqedoninë e Veriut. Sipas amandamentit 5 të marrvjeshjes i cili është implementuar në kornizën tonë gjuha shqipe është gjuhë zyrtare. Përdorimi i gjuhës shqipe është detyrim ligjor në të gjithë institucionet e vendit. Nuk po kërkojmë asgjë tjetër përveç asaj që e kemi të drejtë me ligj”, thotë Besa Dullovi, studente.

Për studentët, pengesa  për zhvillim të provimit në gjuhën shqipe është një diskriminim akademik.

“Mendoj se është diskriminim akademik po edhe etnik. Ka ndikim në karrierën dhe i ndikon që të mos zhvillojnë më tej karrierën profesionale”, shton Dullovi.

Studentët paralajmërojnë edhe përshkallëzim të protestave, nëse nuk merren masa konkrete.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›