E Diel, 1 Nëntor 2026

Studentët në revoltë kundër tij, Rama për median greke: Askush nuk mund të më imponojë me forcë dorëheqjen! Qeveritë ndryshojnë me zgjedhje, jo me kokteje molotovi

Pavarësisht se studentët janë ngritur në protestë kundër tij, kryeministri Edi Rama thotë se do të japë dorëheqjen dhe se askush nuk mund t’ia imponojë me forcë marrjen e një vendimi të tillë.

rama protesta

Në një intervistë për median greke “Kathimerini”, Rama pranon shqetësimet e të rinjve për arsimin, kostot e jetesës dhe korrupsionin, por i diferencon nga ata që kanë shkaktuar sulme dhe kaos në kryeqytet.

“Ekziston një vijë e qartë ndarëse midis studentëve që duan një të ardhme më të mirë dhe grupeve të mbuluara me kapuçë – përfshirë njerëz që i kam lidhur me lëvizjen Antifa – të cilët hedhin kokteje Molotov, sulmojnë ndërtesa publike dhe dëmtojnë pronën private.”, tha Rama.

I pyetur nëse planifikon të largohet nga detyra për shkak të protestave, Rama tha se në demokraci, qeveritë ndryshohen me zgjedhje, dhe jo me kokteje molotovi, duke shtuar se askush nuk mund t’i imponojë një vendim të tillë.

“Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë nëpërmjet zgjedhjeve, jo me kokteje molotovi”, deklaroi ai.

Artikulli i medias greke: 

Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, bëri dallimin midis studentëve që kërkojnë një të ardhme më të mirë dhe protestuesve të maskuar, përfshirë njerëz të lidhur me lëvizjen Antifa, siç thotë ai.

“Një pakicë beson se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit”, thotë Rama.

– Cila është përgjigjja juaj ndaj kërkesave të protestuesve për arsim më të mirë, luftë kundër korrupsionit dhe ulje të kostos së jetesës?

Nuk kam pretenduar kurrë se gjithçka në Shqipëri është bërë mirë. Nuk besoj se të rinjtë duhet ta pranojnë thjesht atë që kemi arritur deri më tani. Shqetësimet e tyre në lidhje me arsimin, koston e jetesës dhe mungesën e mundësive reale janë të vlefshme dhe kërkojnë përgjigje thelbësore. Buxheti i vitit 2027, të cilin do ta paraqesim së shpejti, përfshin masa shtesë për familjet, shërbimet publike dhe studentët. Në të njëjtën kohë, i kam ftuar studentët dhe mësuesit në një dialog të hapur. Jam i gatshëm të shqyrtoj çdo propozim serioz, madje edhe ato që vijnë nga kritikët tanë më të ashpër.

-A keni ndërmend të jepni dorëheqjen?

Jo. Në një demokraci, qeveritë ndryshojnë nëpërmjet zgjedhjeve, jo me kokteje molotovi. Populli shqiptar na dha një mandat të qartë vitin e kaluar dhe unë kam ndërmend ta zbatoj atë. Kushdo mund të kërkojë dorëheqjen time, kjo është pjesë e jetës demokratike. Askush nuk ka të drejtë ta imponojë atë me forcë. Detyra ime është të dëgjoj ankesat e vlefshme, të mbroj të drejtat e qytetarëve dhe të vazhdoj punën e integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Unë nuk do të devijoj nga kjo detyrë sepse një pakicë beson se djegia e vendit është rruga më e shkurtër drejt pushtetit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›