E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët për diplomat: Pas provimeve, në protesta mbarëkombëtare

Flet përfaqësuesi i studentëve, njëkohësisht anëtari i Senatit Akademik të UT, Erlis Hereni 
Përfaqësuesi i studentëve dhe anëtari i Senatit Akademik të Universitetit të Tiranës, Erlis Hereni, në një intervistë të dhënë për gazetën Sot, pohon se studentët e Universitetit të Tiranës, së shpejti do të nisin protestat masive në mbarë vendin, madje edhe më agresive se më parë. Hereni tha se fill mbas mbarimit të sezonit të provimeve, të 11 universitetet në mbarë vendin do të koordinohen, duke u ngritur njëherazi në protestë gjithëpërfshirëse për ti kërkuar qeverisë dhe Ministrisë së Arsimit që të heqë dorë përfundimisht nga shkelja e ligjit.
Zoti Hereni, pse u bë gjithë kjo zhurmë për diplomat e Kartës së Bolonjës? Ku qëndron problemi thelbësor i revoltës së studentëve?
Problemi kryesor qëndron në faktin se studentët nuk janë të mirinformuar se kujt ti kërkonin  titujt, llojin e formatit dhe saktësimin e diplomave. Këtu duhet të informojmë opinionin publik se hartimin dhe saktësimin diplomave e ka ekskluzivitet vetëm Senati, dhe jo MASH. Ndërkaq, MASH ka nxjerrë një udhëzim, i cili shkel drejtpërsëdrejti ligjin ekzistues, duke i tejkaluar kompetencat e saj dhe duke prishur raportet institucionale. Pra Ministria e Arsimit, sipas ligjit për Arsimin e Lartë, ka të drejtën juridike që vetëm ti regjistrojë diplomat e lëshuara, por jo ti hartojë ato. Në këtë mënyrë, Ministria e Arsimit ka ndërhyrë duke shkelur ligjin në formatin dhe përmbajtjen e diplomave. Të drejtën për dhënien e titujve dhe mënyrën e vulës që mban diploma, e ka Senati. Ministria është institucion politik dhe ka të drejtë që vetëm ti regjistrojë diplomat. Ajo e ka shumë të vështirë të pranojë se ka shkelur rëndë ligjin, prandaj këtë problem do ta zgjidhë vetëm Gjykata Kushtetuese, sepse Ministria e Arsimit kishte tre vjet në dispozicion për zgjidhur dhe saktësuar diplomat e sistemit tre vjeçar. Senati Akademik e ka kryer detyrimin e vet ligjor që më datë dy korrik, duke i çuar dhe prezantuar Ministrisë së Arsimit formatin e diplomës, ndërsa kjo e fundit i ka kthyer me mangësi të mëdha institucionale, gjë që e bën jofunksional tregun e punës. Tregu i punës nuk ka asnjë garanci ligjore me këtë model diplomash. Udhëzimi i Ministrisë së Arsimit me pamaturinë e saj, ka krijuar gjithë këtë sherr, revoltë dhe pakënaqësi në anën tonë. Realisht, në formatin e diplomës është vendosur vula e ministrisë, e cila bën një unifikim fiktiv të përgjithshëm.
Deri më tani, a mund ti quajmë të dështuara protestat e studentëve? Çfarë arritët ju me protestën? Pse u bojkotua ajo?
Faktikisht, si procedurë burokratike, Ministria e Arsimit ka dy muaj kohë për të kthyer një përgjigje ndaj kërkesave tona dhe të një letre të çuar nga rektori i UT, Dhori Kule. Ndërkaq, shumica e studentëve janë në sezon dhe për një kohë relativisht të shkurtër ne menduam që ti ndërpresim protestat. Ndërprerja momentale dhe trembja e një pjese prej studentësh nga frikëra të pavetëdijshme, nuk do të thotë se protesta e studentëve dështoi. Thashë edhe më lart se këtë shkelje do ta çojmë deri në Gjykatën Kushtetuese. Ministria, tashmë e ka tepër të vështirë të pohojë se ish- ministri i saj, shkeli ligjin për arsye të ngushta individuale, duke krijuar një katrahurë të shëmtuar.
Në krahasim me diplomat e UT, si janë diplomat e rretheve të vendit dhe a ka pakënaqësi nga ana e tyre?
Për sa u përket rretheve, Shkodra dhe Vlora i kanë marrë diplomat ashtu siç i kanë kërkuar Senatet Akademike. Ndërkaq, për disa universitete të tjera janë bërë diferencime.
Korça, Elbasani, Gjirokastra dhe Durrësi kanë protestuar për këtë gjë, që javën e kaluar. Vetëm në Durrës, javën e kaluar janë hedhur në protestë rreth 1700 studentë. Mund të themi se rrethet kanë qenë shumë aktivë në proteste. Ka qenë mendimi i rretheve, i cila do të na koordinojë së bashku për të protestuar.
A mendoni se çfokusimi i vëmendjes së qeverisë nga problemet aktuale për arsye të afrimit të fushatë, do ta vështirësojë më tej zgjidhjen e problemit?
Nuk mundet që qeveria të shpërfillë 150 mijë studentë, sepse ata kanë në dorë votat për njëzetë e pesë mandate deputetesh. Studentët e kanë fituar tashmë qytetarinë e votimit dhe kërkojnë krejt qartë respektimin e ligjit. Pastaj, në përbërjen e Senati janë të përfshirë dhe 5 studentë, të cilët kanë rol vendimmarrjeje dhe janë të zgjedhur juridikisht nga qeveria studentore. Pushteti studentor, është një ndër pushtetet e fundit që qeveria synon të kapë, sepse të gjitha pushtetet e tjera janë të uzurpuar, si pushteti mediatik dhe kushtetues. Ndërkaq, është për tu vlerësuar dhe përshëndetur edhe këshillimi i mprehtë dhe i njëtrajtshëm i pedagogëve tanë, të cilët na kanë mbështetur dhe do të na mbështesin intesivisht në të ardhmen.

Email This Klikime: 6

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›