E Shtunë, 31 Tetor 2026

BB: Përdorimi i internetit, i kufizuar për shkak të 3G

Raporti Ekspertët e Bankës Botërore sugjerojnë më shumë shërbime 3G. Problem, tregu

Zhvillimi ekonomik i një vendi lidhet ngushtë me aftësinë dhe kulturën e përdorimit të teknologjisë së informacionit. Kjo është një nga shtyllat bazë të studimit të Bankës Botërore lidhur me axhendën që duhet të ndjekë Shqipëria për të pasur një rritje ekonomike të qëndrueshme.

Duke u ndalur te përdorimi i internetit, njëri nga studiuesit dhe realizuesit e raportit, Ron Hud, thotë se shkak i nivelit të ulët për eksesin e këtij shërbimi është mungesa e 3G-së. “Ky shërbim ofrohet në të gjitha vendet e rajonit, ndërsa në Shqipëri nuk ekziston. Tani së fundmi iu dha licenca vetëm një shoqërie, por ne mendojmë se tregu duhet të zgjerohet akoma e më tej”, tha Hud.

Banka Botërore, në raportin e saj vë në dukje faktin se, Shqipëria është mjaft mbrapa në zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe komunikimit. “Interneti në Shqipëri ka shtrirjen më të ulët në Europë, rreth 2.5 për qind krahasuar me 8 për qind të Europës Juglindore dhe 23 për qind në Bashkimin Europian”, thuhet në raport. Sipas BB-së, Shqipëria duhet të zgjerojë sa më shpejt teknologjitë alternative si 3G celular, DLS dhe WiMax. Duke folur me shifra, raporti thotë se përqindja e firmave që raportuan se telekomunikacionet përbëjnë një pengesë për të bërë biznes u rrit nga 21 për qind në vitin 2005 në 56 për qind në vitin 2008.

Afro 10 për qind e familjeve kanë akses me brez të gjerë në internet, e cila është shumë më ulët se në BE apo në rajonin e Ballkanit, të cilët kanë akses në nivel prej 23.9 për qind dhe 7.7 për qind. Përveç kësaj, pothuajse 60 mijë klientë me akses me brez të gjerë në internet ndodhen në qytete, pasi në zonat rurale ky shërbim është ende i pazhvilluar.

Shërbimi celular 3G është kërkuar me ngulm nga të katërtat kompanitë që operojnë në vend, duke e argumentuar me faktin e një zgjerimi dhe shpejtësisë së këtij aksesi. Por qeveria vendosi me anë të tenderit që t’ia jepte vetëm një shoqërie, kundrejt një shume prej 30 milionë eurosh, kur nga njëra anë kompanitë kishin sugjeruar që licenca të ofrohej njëherësh për të gjithë. Kjo shmangte monopolin dhe rriste konkurrencën që do të ofronte çmime dhe cilësi të mirë.

Nga ana tjetër, Autoriteti i Konkurrencës i kërkon Ministrisë së Inovacionit dhe Teknologjisë së Informacionit të liberalizojë sa më parë tregun e shërbimit 3G. Sipas këtij enti, kjo masë është e nevojshme për rritjen e konkurrueshmërisë në sektorin e komunikimeve elektronike. Autoriteti i Konkurrencës kërkon që të jepen po aq licenca sa është edhe numri i operatorëve të telefonisë celulare në treg. Sipas autoritetit duhet që licencat të jepen në të njëjtën kohë dhe duke ndjekur të njëjtën procedurë si për dhënien e licencës së parë në mënyrë që të garantohet konkurrenca e lirë për këtë shërbim. Drejtuesit e këtij enti propozojnë gjithashtu qe AKEP-i të rregullojë tarifat e shërbimit të orientuara drejt kostos.

Rreth një muaj më parë Autoriteti i Komunikimeve Elektronike dhe Postare zhvilloi tenderin për dhënien e licencës për shërbimin 3G. Në këtë tender morën pjesë vetëm 2 kompani dhe licenca iu dha “Vodafone”, e cila bëri dhe ofertën më të mirë prej 31 milionë eurosh. Dhënia e një licence të vetme është kundërshtuar edhe nga vetë kompanitë celulare që operojnë në treg të cilat kërkuan dhënien e 4 licencave.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›