E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studentët e Mjekësisë do të nisin një grevë urie të hënën

“Kemi marrë telefonata kërcënuese nga deputetë për të heshtur”

Ndonëse kalvari i kërkesave të studentëve të Fakultetit të Mjekësisë deri më tani duket ende i pashpresë, zgjidhja e vetme që u mbetet të rinjve është greva e urisë. Të paktën kështu pohon Taulant Muka, student në vitin e pestë të Fakultetit të Mjekësisë, njëkohësisht kryetar i lëvizjes studentore në këtë institucion. Si përfaqësues i studentëve të këtij fakulteti, ai shprehet se studentët janë të indinjuar nga përgjigjet që kanë dhënë deri më tani përgjegjësit e një situate të papërgjegjshme të krijuar prej vitesh në Fakultetin e Mjekësisë.

“Jo më larg se dje morëm një kërkesë zyrtare nga përfaqësuesit kryesorë të Ministrisë së Arsimit për një takim, ku do të diskutohej mbi kërkesat dhe pakënaqësitë që kanë studentët për sistemin aktual të zhvillimit të leksioneve në Fakultetin e Mjekësisë. Fill pas këtij propozimi i kërkuam ministrit të Arsimit që takimi të zhvillohej me dyer të hapura, pra në praninë e mediave, por ai nuk pranoi. Për pasojë ne e refuzuam takimin”, sqaroi Taulanti.

Sipas tij, zhvillimi i një takimi ku do të vendoset fati i të gjithë studentëve nuk ka arsye pse të zhvillohet në mënyrë të fshehtë, aq më tepër që tashmë ky rast është kthyer në një problem shqetësues.

Përfaqësuesit e lëvizjes studentore në Fakultetin e Mjekësisë pohojnë me bindje se zgjidhja e vetme që i ka mbetur në përballje me këtë indiferencë vrasëse është greva e urisë. “Ndonëse kemi marrë telefonata të shumta, si ne ashtu edhe prindërit tanë nga deputetë e përfaqësues të ministrisë për të mos e çuar më tej këtë situatë, jemi të vendosur të vijojmë më tej, deri në shkarkimin e dekanit të këtij fakulteti, sepse jemi të bindur që ky fakultet është në regres vetëm për shkak se mban vulën e tij”, shton kryetari i lëvizjes studentore, Muka.

Problemi

Studentët e këtij fakulteti kërkojnë auditorë të përshtatshëm, literaturë dhe tekste të reja, jo ato të viteve ’70 që qarkullojnë aktualisht në këtë institucion, si edhe prezencën e pedagogëve, që rrallëherë vijnë në leksione. Ndonëse për secilën prej këtyre pikave është premtuar shumë, asnjëri prej tyre nuk është vënë në praktikë. Ky është shqetësimi që, sipas tyre, prek drejtpërdrejt të ardhmen dhe investimin e viteve të shkollës së lartë. Lëvizjet për reformimin e sistemit të arsimit në Fakultetin e Mjekësisë kanë nisur që në nëntor të 2008-s, nëpërmjet një peticioni që i drejtohej dekanit të Fakultetit të Mjekësisë të asokohe.

“Duke parë që fjalët e tij ishin thjesht premtime boshe, themeluam revistën studentore ‘Alb Medicus’, në të cilën u trajtuan shumë probleme të studentëve dhe më 25 mars krijuam lëvizjen studentore për reformimin e sistemit arsimor shëndetësor”, sqaron Taulanti. Ai tregon se edhe dekani aktual i mbështeti fillimisht për këtë iniciativë, por deri me datë 24 nëntor nuk u realizua asnjë nga kërkesat që i kishin paraqitur dekanit dhe pikërisht me këtë mori startin kjo lëvizje e madhe që po ndodh sot, lëvizja studentore, e cila kërkon dhe ka si objektiv kryesor reformimin e Fakultetit të Mjekësisë.

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›