E Shtunë, 31 Tetor 2026

Studimet në Itali, përcaktohen datat e provimit për degët me konkurs

Konkurset për degët e specialitetit do të zhvillohen nga data 1 deri më 10 shtator

Jonida Tashi

Dalin datat e provimit specifik për degët me konkurs në universitetet italiane. Ministria e Universiteteve në Itali ka publikuar datat e konkurseve të pranimit për studentët që do të pranohen në këto degë studimi. Sipas kalendarit të provimeve për konkurset e pranimit, këto të fundit do të zhvillohen duke filluar që nga data 1 shtator deri në datën 10 të po këtij muaji. Në ditën e parë të çeljes së sezonit të konkurseve të pranimit, të gjithë studentët shqiptarë që kanë fituar të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të testohen me shkrim dhe me gojë për njohjen e gjuhës italiane.
Datat
Dy të ditë pas mbajtjes së provimit të gjuhës do të zhvillohet konkursi i parë i pranimit për degët Mjekësi dhe Kirurgji. Më konkretisht, testimi i kandidatëve për studentë në Itali për dy degët e mësipërme do të bëhet në datën 3 shtator. Në këtë provim kandidatët do të testohen për dijet që ata kanë marrë gjatë shkollës së mesme në lëndën e Biologjisë dhe Kimisë. Në datën 4 shtator do të zhvillohet konkursi i pranimit për studentët që kanë zgjedhur të ndjekin studimet në specialitetin Odontoiatri dhe Proteza Dentare. Tri ditë më pas, në datën 7 shtator, provimit të pranimit do t’u nënshtrohen studentët që kanë zgjedhur si specialitet degën e Mjekësisë Veterinare. Edhe në këtë konkurs specifik pranimi studentët do të testohen për lëndët që lidhen me këtë degë, ku përfshihen Kimia, Biologjia dhe Fizika. Ndërsa në datën 8 shtator do të zhvillohet konkursi i pranimit për studentët që kanë preferuar degën e Arkitekturës, për të vijuar studimet e larta në Itali. Sikurse edhe testimi në vendin tonë, konkursi i pranimit për këtë degë do të përfshijë Vizatimin Teknik dhe testim për njohuritë e kandidatëve në Matematikë dhe Fizikë. Në datën 9 shtator do të mbahet konkursi i pranimit për Profesionet e Shëndetësisë. Të fundit që do t’i nënshtrohen konkursit të pranimit do të jenë studentët që kanë zgjedhur si degë Shkencat e Formimit Bazë. Konkursi për studentët që kanë zgjedhur një specialitetet të tillë për të ndjekur universitetin në Itali do të mbahet në datën 10 shtator, që do të jetë edhe dita e fundit e konkurseve.
Degët
Konkurseve të pranimit për degët e specialiteteve në universitetet italiane do t’u nënshtrohen vetëm maturantët shqiptarë që kanë marrë vlerësim pozitiv në dy provimet me zgjedhje të Maturës, si dhe kanë aplikuar për degët: Arkitekturë, Mjekësi, Odontoiatri, Veterinari, Profesionet Sanitare, Shkencat e Formimit Bazë. Për këto degë autoritetet italiane kanë vendosur që përveç provimit të njohjes së gjuhës italiane dhe kalimit me sukses të katër provimeve të Maturës, të rinjtë shqiptarë të kalojnë disa prova të tjera në lidhje me disiplina të veçanta. Sipas kushteve të vendosura nga universitetet italiane, të rinjtë shqiptarë që do të arrijnë të kalojnë me sukses konkursin që do t’u bëhet nga fakultetet ku ata kanë aplikuar do të fitojnë të drejtën për të vijuar studimet në këto degë. Mësohet se në këtë konkurs maturantët shqiptarë do të testohen për dijet specifike që karakterizohet secila prej degëve të mësipërme. Arsyeja pse universitetet italiane kanë vendosur t’i testojnë maturantët shqiptarë para se t’i pranojnë në auditorët e tyre qëndron në faktin se këto degë ofrojnë një numër të kufizuar kuotash pranimi. Madje jo vetëm kaq, por duke qenë se ato janë tepër të preferuara edhe nga të rinjtë italianë, është parë si e nevojshme që të bëhet një seleksionim i mirë i kandidatëve, me qëllim që të përzgjidhen studentët më të mirë, pavarësisht origjinës së tyre.
Fituesit
Maturantët shqiptarë të përzgjedhur nga Ambasada Italiane për të nisur pararegjistrimin në universitetet italiane dhe që kanë kaluar me sukses dy provimet me zgjedhje të Maturës do të nisen drejt Italisë në ditët e fundit të muajit gusht. Por, me gjithë mbërritjen në shtetin fqinj, ata duhet të kalojnë disa kohë në pritje para nisjes së studimeve në këtë vend, derisa universitetet italiane të shprehen zyrtarisht se cili prej tyre do të pranohet. Kështu, pasi të vlerësohen dhe verifikohen të gjitha kërkesat e të rinjve shqiptarë nga organet e specializuara në Itali, do të vendoset përfundimisht edhe se cili e fiton provën e hyrjes. Përcaktimi i fituesve në Itali do të bëhet para nisjes së vitit të ri akademik 2009-2010. Ndërkohë që të gjithë ata të rinj shqiptarë që nuk do të renditen te listat e fituesve në universitetet italiane nuk duhet të dëshpërohen, pasi për ta do të ketë një shans të dytë për të studiuar në Itali, megjithëse jo në degën e preferuar. Brenda datës 12 dhjetor 2009 universitetet italiane do të bëjnë të ditur nëse ka ende vende të lira në fakultetet e tyre. Në këtë pikë, ata që kanë mbetur jashtë mund të paraqesin kërkesën për një kurs tjetër diplomimi, ose për të njëjtin kurs, në një universitet tjetër. Të rinjtë e huaj, të cilët jetojnë në Itali dhe dëshirojnë të regjistrohen në universitet, nuk hyjnë në këto kuota, por mund të paraqesin kërkesën e regjistrimit pa limite në numër, duke ndjekur të njëjtat rregulla me të cilat aplikojnë edhe italianët.

Vizat e studimit, përcaktohen datat e lëshimit

Vizat e studimit për të gjithë studentët shqiptarë që kanë fituar të drejtën për të studiuar në universitetet italiane do të lëshohen duke nisur që nga data 24 gusht. Në bazë të dispozitave në fuqi, vizat për studim në universitetet italiane do të jenë të vlefshme nga data 24 gusht 2009 deri më 31 janar 2010. Megjithëse për të vijuar studimet e larta në Itali kanë aplikuar mbi 3 mijë maturantë shqiptarë, këtë vit, paraprakisht nga autoritetet italiane në fushën e arsimit janë përzgjedhur vetëm 528 prej tyre. Tashmë, këta të fundit, brenda pak ditësh do të njihen edhe me përgjigjen përfundimtare, nëse janë ose jo fitues. Sipas njoftimit të Ministrisë së Universiteteve Italiane, brenda datës 21 gusht të rinjve shqiptarë që kanë aplikuar për studimet në Itali do t’u kthehen pas pasaportat që i kanë dorëzuar së bashku me dokumentet e tjera, për pararegjistrim në universitetet italiane. Studentët shqiptarë, ashtu sikurse edhe studentët e huaj që vazhdojnë studimet në universitetet italiane, por që nuk u përkasin vendeve të Bashkimit Europian, mund të përfitojnë si dhe studentët italianë nga shërbimet për të drejtat e studimit, si bursa studimi, përjashtim i plotë apo i pjesshëm nga taksat dhe tarifat universitare etj.
Për këtë, Ambasada Italiane rikujton se pasi të kenë mbërritur në Itali, studentët mund t’i paraqesin dokumentet e legalizuara pranë zyrave kompetente të universiteteve italiane ku janë regjistruar, për të mundësuar kështu përfitimin e shërbimeve për të drejtat e studimit. Përsa i përket shpërndarjes së bursave, studentët e huaj që do të vijojnë studimet e larta në Itali dhe që do të fitojnë të drejtën e trajtimit me bursë, do të mund ta marrin atë duke filluar nga janari i vitit 2010. Ndryshe nga një vit më parë, këtë vit, autoritetet italiane, për shkak të mundësisë së kufizuar ekonomike, kanë vendosur që të financojnë vetëm bursa me datë fillimi janarin e vitit 2010. Për rrjedhojë, gjatë tremujorit tetor–dhjetor 2009, fituesit e mundshëm nuk mund të kenë statusin e bursistit dhe për qëndrimin e tyre në Itali duhet t’i përballojnë vetë shpenzimet.

Kalendari i datave për konkurset e pranimit
1 shtator 2009
Provimi i njohjes së gjuhës italiane
3 shtator 2009
Konkursi i pranimit për degën Mjekësi dhe Kirurgji
4 shtator 2009
Konkursi i pranimit për degën Odontoiatri dhe Proteza Dentare
7 shtator 2009
Konkursi i pranimit për degën Mjekësi Veterinare
8 shtator 2009
Konkursi i pranimit për degën e Arkitekturës
9 shtator 2009
Konkursi i pranimit për Profesionet e Shëndetësisë
10 shtator 2009
Konkursi i pranimit për Shkencat e Formimit Bazë

20 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›