Studimi, 80 % e kredive të këqija i përkasin biznesit
Remitancat kanë rënë gjatë 5 viteve të fundit, 51 % e familjeve shqiptare varen prej tyre
Niveli i kredive me probleme është rritur ndjeshëm në dy vitet e fundit. Sot ato përbëjnë 20% të totalit të kredisë, norma më e lartë kjo për vendet e Europës Qendrore e Juglindore. Edhe pse Shqipëria ka pasur një normë të ulët rritjeje të kreditimit në raport me vendet e rajonit, sipas një raporti të Fondacionit Soros bazuar mbi statistika zyrtare, pas 2008-ës rezulton se Shqipëria ka një normë më të lartë të rritjes në nivelin e kredive me probleme.
Kreditë e bizneseve
Ndërkohë që 80% e totalit të kredive të këqija janë në sektorin e biznesit, kryesisht në tregti, ndërtim dhe industri. Për më tepër, një numër i madh i kredive në ndjekje, të cilat përbëjnë potencialisht mundësinë për të qënë kredi të humbura, do ta rriste nivelin e këtyre të fundit me 5-10% sipas një raporti të fundit të FMN së.
Në këtë kuadër, përfitimi bankar ka rënë ndjeshëm dhe shumë banka kanë tkurrur portofolin e tyre të kredive, për të mbajtur sidoqoftë nivelin optimal të mjaftueshmërisë së kapitalit. Nga ana tjetër, cilësia e portofolit të kredisë së bizneseve është përkeqësuar më shumë se cilësia e portofolit të kredisë së individëve. Raporti i kredive të këqija për individët shënon 16.9%, thuhet në studimin e Soros.
Ndërtimi
Raporti flet edhe për sektorin e ndërtimit në Shqipëri, për të cilin thuhet se ka vazhduar të mbetet i bllokuar, duke njohur të vetmin zhvillim të vetin atë të viteve 2003 2008 dhe një frymëmarrje shumë të lehtë gjatë 2011-ës. Rënia e të ardhurave reale të shqiptarëve si rezultat i rritjes së çmimeve, rënia e dërgesave të emigrantëve, që rezultoi si një nga efektet kryesore të krizës globale, dhe shterpësia e kreditimit në vend kanë ndikuar në futjen e sektorit të ndërtimit në ngërç, argumentohet në raportin në fjalë.
Dërgesat e emigrantëve
Remitancat kanë rënë gjatë 5 viteve të fundit, por rënia më e madhe e tyre ka ndodhur përgjatë 2010-ës. 53.8% e familjeve kanë marrë më pak remitanca në 5 vitet e fundit. 57.6% e familjeve përfituese marrin më pak se një vit më parë. 60% e familjeve që kanë të ardhura mujore deri në 30.000 lekë, e kanë dërgesën (remitancat) jetike, dhe shumë të rëndësishme. Këto familje përbëjnë 51% të totalit, çka tregon rëndësinë e madhe të ndikimit të remitancave në konsumin jetik. Mjafton të shtohet këtu se remitancat shpenzohen më së shumti për ushqim (73.8%), pavarësisht nëse statusi i kryefamiljarit tregon që është në punë ose jo. Familjet përfituese kanë ulur shumë konsumin (60.8%), kursimet në masën (32%) dhe investimet(72%), evidenton raporti.
Borxhi publik
Lidhur me borxhin publik raporti vëren se Shqipëria do të duhet patjetër të ulë nivelin e borxhit të saj publik. Sipas analizave, Shqipëria do të vazhdojë të shpenzojë
shumë, me gjithë financimin e brendshëm, duke qenë se jo vetëm do të financojë deficitin e vet, por edhe do të maturojë borxhin e jashtëm. Si rezultat, stoku i borxhit të brendshëm do të rritej në këtë mënyrë nga rreth 33% të PBB në 2011 në 38% për 2017, duke kaluar në total vlerën 62% të PBB së. Niveli i borxhit kështu, do të rrisë rrezikshëm peshën e shpenzimeve të shërbimit të tij ndaj buxhetit të vendit. Aftësia e shtetit shqiptar për të vazhduar e tërhequr investitorë në të ardhmen, varet nga risqet e konsiderueshme, që paraqet ekonomia shqiptare në këtë pikë. Rritja e parashikuar në borxhin e brendshëm publik imponon një nivel të lartë risku.
80%
E totalit të kredive të këqija janë në sektorin e biznesit, kryesisht në tregti, ndërtim dhe industri.
16.9%
Vlerësohet raporti i kredive të këqija për individët, qjë që tregon se cilësia e portofolit të kredisë së bizneseve është përkeqësuar më shumë se e individëve.
53.8%
E familjeve kanë marrë më pak remitanca në 5 vitet e fundit.
60%
E familjeve që kanë të ardhura mujore deri në 30.000 lekë, e kanë dërgesën e emigrantëvce jetike