Shkodra në prag katastrofe, 7 mijë ha tokë dhe 700 banesa nën ujë
Liqeni del në qytet, banorët në Obot në mëshirë të fatit
Shkodër/Tre HEC-et kanë rikthyer makthin e përmbytjeve masive në qarkun e Shkodrës. Sipërfaqja e tokave nën ujë ka shkuar në rreth 7 mijë hektarë ditën e djeshme dhe mbi 700 banesa të rrethuara. Kushtet e këqija atmosferike, shirat e pa ndërprerë dhe fryrja e papritur ditën e djeshme e liqenit ka dalë në qytet duke shtuar kështu rrezikun për banorët. Nëse moti nuk do të ndryshojë, parashikohet që shkarkimet të vijojnë për shkak edhe të procesit të prodhimit të energjisë elektrike dhe lehtësimit të nivelit në diga. Por kjo do të sjellë rritjen e bilancit të dëmeve. Më kritike situata në Bushat, Ana e Malit dhe Dajç, ndërsa fshati Obot hyn në muajin e dytë i gjithi nën ujë. Dje kanë dalë jashtë funksionit dhe disa akse kombëtare për makinat, pasi thellësia e ujit rrezikonte aksidentet. Pedonalia e qytetit në Shkodër duket se është e gjitha nën ujë si pasojë e ujit të liqenit që po hyn edhe në lagjet e tjera si Livadhe, Tophanë apo Ajasëm. Nga të dhënat më të fundit të Shtabit të Emergjencave në këtë qark, raportohet se sipërfaqja e përmbytur shkon në rreth 7000 hektarë, ndërsa janë të izoluara nga uji 720 banesa. Komuna më e prekur është Ana e Malit. Në këtë komunë, fshatrat Goricë, Muriqan dhe Obot, prej disa ditësh vijojnë të jenë të izoluar totalisht.
Apeli
Banorët në këtë zonë apelojnë për ndërhyrje emergjente. Sipas tyre, dëmet janë shumë të mëdha në bujqësi, ndërsa situata më emergjente paraqitet për bagëtitë, rezervat ushqimore të të cilave janë drejt përfundimit. Fshati Obot është fshati më problematik në të cilin mund të lëvizësh vetëm përmes varkave. Në komunën Ana e Malit ndodhen nën ujë 1800 ha tokë, ndërsa të izoluara nga uji janë 260 shtëpi. Ndërkaq dalja e liqenit ka përmbytur pedonalen në hyrje të qytetit të Shkodrës, si dhe ka bllokuar totalisht rrugën drejt Shirokës.
Kërkesa për gjendjen e emergjencës
Përgjatë këtyre ditëve, banorë të këtyre zonave, kanë ngritur shqetësimet, se organet përkatëse nuk po marrin në konsideratë situatën e krijuar nga përmbytjet. Ato kanë kërkuar shpalljen e gjendjes së emergjencës, pasi prej rreth 25 ditësh vijojnë të jenë të përmbytur. Kryetari i komunës Bërdicë, Besnik Brahimi, bëri të ditur dje se në këtë komunë janë mbi 700 ha tokë bujqësore të mbjella nën ujë, ndërkohë që kjo përmbytje po shkaktojnë probleme për sigurimin e bazës ushqimore për blegtorinë, ku vetëm në këtë komunë janë mbi 5000 krerë lopë dhe 3500 krerë dhen.
Si pasojë e përmbytjeve, vijojnë të jenë të bllokuara rrugët Shkodër-Dajç, Shkodër-Obot dhe Shkodër-Velipojë. Shkarkimet në të tre Hidrocentralet, Fierzës, Komanit dhe Vaut të Dejës vijojnë edhe sot