Studimi: Drita artificiale po redukton me shpejtësi numrin e yjeve të dukshëm me sy të lirë

Drita artificiale po redukton me shpejtësi numrin e yjeve të dukshëm me sy të lirë në Tokë. Në këtë përfundim ka dalë një studim i publikuar në revistën Science, i cili sugjeron se vendet me 250 yje të dukshëm aktualisht do të kenë vetëm 100 yje të dukshëm në 18 vjet.
“Nëse këto tendenca vazhdojnë, përfundimisht do të jetë shumë e vështirë të shihet ndonjë gjë në qiell, madje edhe yjësitë më të ndritshme. Rripi i Orionit do të fillojë të zhduket në një moment”, tha Dr Christopher Kyba, i Qendrës Kërkimore Gjermane për Gjeoshkencën dhe autori i parë i kërkimit. Ekipi shkruan se shkëlqimi i prodhuar nga ndriçimi artificial u rrit në mënyrë eksponenciale gjatë shekullit të 20-të me rritjen e popullsisë, teknologjitë e reja dhe zgjerimin e qyteteve.
Studimi nuk është i pari që zbulon ndikimin e dritës në aftësinë tonë për të parë qiellin e natës. Në vitin 2016, shkencëtarët zbuluan se Rruga e Qumështit nuk ishte më e dukshme për një të tretën e njerëzimit./ The Guardian
/rtsh.al/