Studimi; Mbipesha stimulon kancerin
Shkencëtarët thonë se mbipesha trupore tek gratë shton rrezikun e prekjes nga kanceri në vezore. Gjatë një studimi, mjekët vëzhguan për 7 vjet gjendjen e 90 mijë grave dhe zbuluan se gratë mbi peshë ishin 80 për qind më në rrezik për t’u prekur nga kanceri në vezore. Megjithatë, ata vunë re se vetëm disa gra dukeshin se ndodheshin në rrezik më të madh. Çdo vit, në Shtetet e Bashkuara, 20 mijë gra diagnostikohen me kancer në vezore. Këto të dhëna janë shqetësuese, po të kihet parasysh se nga gratë e prekura me këtë lloj kanceri, vetëm 37 për qind e tyre mund të jetojnë të paktën për 5 vjet. Studimi i ri lë të kuptohet se gratë mund t’i pakësojnë gjasat për t’u prekur nga kanceri në vezore duke mbajtur një peshë trupore të shëndetshme.
Mbarëvajtja
Shkollimi ul depresionin
Sipas një studimi 40-vjeçar, të rinjtë që shkelin disiplinën në shkollë, kanë më shumë gjasa që të provojnë një sërë problemesh kur të rriten. Ata nxënës për të cilët mësuesit thoshin se ishin sjellë keq në shkollë, kishin më shumë gjasa që kur rriteshin, të prekeshin nga depresioni e ankthi, divorci, si dhe ndesheshin me vështirësi financiare. Shumë fëmijë thyejnë disiplinën në shkollë një herë a një tjetër, por sjellja e keqe e vazhdueshme mund të jetë shenjë e problemeve për të ardhmen e tyre. Ekspertët thonë se një faktor ndikues për këto mund të jetë se të rinjtë me probleme kishin 4 herë më shumë gjasa për të braktisur shkollën, duke i bërë ata të ndesheshin me vështirësi për të gjetur punë të kualifikuar me paga më të mira.
Kokëdhimbja
Migrena shkakton çrregullime mendore
Një studim i ri tregon se dhimbjet e kokës nga migrena dhe sëmundjet mendore ndonjëherë shkojnë krah për krah. Mjekët morën në shqyrtim mbi 600 persona me migrenë dhe panë se ata ndodheshin në një shkallë më të lartë rreziku për t’u prekur nga një sërë çrregullimesh mendore, përfshi depresionin, sulme paniku dhe fobia apo frika. Kokëdhimbjet nga migrena janë të zakonshme. Një në çdo 10 persona vuan prej tyre. Por studimi i ri lë të kuptohet se migrena gjithashtu mund të ketë lidhje me çrregullimet e shëndetit mendor. Një studim ku u përfshinë mbi 4 mijë persona, arriti në përfundimin se ata që vuanin nga migrena, kishin dy herë më shumë gjasa të prekeshin nga një çrregullim mendor.