Mbyll sytë meshtari Zef Simoni
Një nga katër ipeshkvijtë shqiptarë të periudhës paskomuniste, meshtari Zef Simoni, ka mbyllur sytë. Vdiq ditën e shtunë në Shkodër në moshën 80-vjeçare, ndërkohë që dje janë kryer nderimet e fundit në sallën “Kardinal Mikel Koliqi”, në Arqipeshkvinë e Shkodrës, ndërsa gjatë ditës së sotme pritet të zhvillohet ceremonia e lamtumirës po në këtë qytet. Meshtari Zef Simoni ishte mes klerikëve të shumtë shqiptarë që gjatë regjimit komunist provuan burgjet dhe kampet e internimit. Pas proceseve demokratike, Zef Simoni shërbeu si ipeshkv ndihmës në Arqipeshkvinë e Shkodrës, duke dhënë kontributin e tij jo vetëm në meshtari, por edhe në letërsinë dhe studimet shqiptare. Një prej të paktëve ipeshkvë shqiptarë prej periudhës së pluralizmit është shuguruar nga vetë Papa Gjon Pali i Dytë, gjatë vizitës së tij historike në Shqipëri, në muajin prill të vitit 1993. Ipeshkvi ishte përfaqësues i parë i Kishës Shqiptare në një ngjarje të madhe si Sinodi i ipeshkvijve për Evropën Lindore, që u mbajt në Vatikan më 28 nëntor 1991 si dhe ngjarje të tjera të rëndësishme. Më 9 shkurt të vitit 1962 është shuguruar meshtar në fshehtësi nga Imzot Ernesto M. Çoba, ndërkohë që në vitin 1976 arrestohet dhe dënohet me 15 vjet burg. Pas 12 viteve, meshtari lirohet në vitin 1988.