Listat, Uruçi braktis LSI-në
Hartimi i listave të kandidatëve për deputetë ka shkaktuar mëritë dhe largimet e para edhe brenda Lëvizjes Socialiste për Integrim. Kryetarja e LSI-së së Shkodrës, Esmeralda Uruçi, duke mos e gjetur veten të parën e listës në qarkun e Shkodrës, ka dhënë dorëheqjen, duke akuzuar kreun e LSI-së, Ilir Meta, se e ka kthyer këtë çështje në një sipërmarrje private. Pas këtij largimi reagoi zyrtarisht LSI-ja përmes drejtorit të informacionit, Dritan Ylli, i cili akuzoi direkt kreun e PS-së, Rama, si ideator të këtij skenari, ndërsa znj. Uruçi si të paaftë për të përballuar shtimin e radhëve të kësaj partie në Shkodër. Dy ditë më parë, kreu i Bashkisë së Urës Vajgurore deklaroi largimin nga LSI-ja, ndërsa disa javë më parë deputeti i PS-së, Memushi, deklaroi largimin nga PS-ja për të kandiduar në siglën e LSI-së në zgjedhjet e qershorit. Njëkohësisht, ashtu si Uruçi edhe në Durrës ka pasur lëvizje mes dy partive të majta. Bardhyl Agasi dhe Lefter Koka, të njohur si përfaqësues të PS-së u larguan drejt LSI-së. Më parë, edhe dy figura të tjera të LSI-së kanë shprehur pakënaqësi ndaj hartimit të listave, si Pjerin Ndreu dhe Brizida Gjikondi.
Akuzat
Kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim në Shkodër, Esmeralda Uruçi, ka dhënë dorëheqjen nga ky post duke kritikuar kreun e LSI-së, Ilir Meta. Në një konferencë për shtyp, Uruçi ka bërë të ditur arsyet e largimit të saj nga LSI-ja dhe poziciononimin që do të ketë pas këtij vendimi. “LSI-ja rrezikon të kthehet në një sipërmarrje private të kryetarit Ilir Meta, pasi njerëz pa lidhje me këtë parti po zënë vend në listat e kandidatëve për deputetë”,- u shpreh Uruçi.
Tashmë ish-kryetare, Uruçi ka konstatuar se pavarësisht largimit nga LSI-ja, ajo do të mbetet në gjirin e majtë, pasi dhe bindjet janë të tilla. Në fakt, qarku i Shkodrës ka krijuar probleme për LSI-në lidhur me hartimin e listave. Edhe Pjerin Ndreu më parë ka shprehur pakënaqësi e tani së fundmi edhe Uruçi. Në krye të kësaj liste pritet të jetë Sokol Axhemi, një prej drejtuesve të kësaj partie.
Pas kësaj deklarate të Uruçit, reagoi LSI-ja. Dritan Ylli, drejtori i zyrës së informacionit në LSI, tha se nuk janë të habitur nga veprimi i Uruçit, ndërsa akuzoi Ramën se ka përgatitur këtë skenar. "Ne ndiejmë neveri për këtë skenar të shëmtuar të Edi Ramës që njerëz të blerë dhe të kapur nga korrupsioni i tij bashkiak po i përdor, si pasojë e panikut që ka nga rritja dhe shpërthimi i LSI-së në gjithë Shqipërinë", - tha Ylli duke shtuar: “Ne nuk jemi të çuditur aspak nga kapja e znj. Esmeralda Uruçi, pasi LSI-ja është një forcë politike me mision shumë të rëndësishëm në jetën politike shqiptare, që përfaqëson interesat e të gjithë shkodranëve dhe të gjithë shqiptarëve dhe nuk mund të ngelet kurrsesi peng as LSI-ja dhe as e ardhmja e shkodranëve nga interesa të dyshimta dhe pazaret e burrit të znj. Uruçi”. Ai bëri të ditur se e vërteta është se znj. Uruçi ka qenë e komanduar në degën e LSI-së në Shkodër dhe jo e zgjedhur sipas parimit një anëtar-një votë, siç pretendon ajo.
Meta: Zgjedhjet, PD-në dhe PS-në i ka zënë paniku
Lëvizja Socialiste për Integrim zhvilloi dje paradite Konferencën e Lëvizjes së Gruas për Integrim në qarkun e Korçës. lideri i LSI-së, Meta, u shpreh se PD-në dhe PS-në i ka zënë paniku, sepse këto forca të vjetra nuk ofrojnë asgjë serioze përveç mashtrimeve pa fund që shikohen në spotet e qeverisë “Berisha” dhe në spotet e Bashkisë së Tiranës. “Miliona euro po harxhohen nga paratë e taksapaguesve të Shqipërisë apo të Tiranës për t’u mbushur mendjen shqiptarëve për sukseset e padiskutueshme që kanë realizuar gjithë kësaj kohe”, - tha Meta. Më pas, lideri i LSI-së u shpreh: “Ne duhet të ndahemi njëherë e mirë nga Gërdec-Qeveria, nga morali që ajo përfaqëson, e cila ka si qëllim vetëm fitimet kolosale të Sali Berishës, të familjes së tij dhe të gjithë klanit të tij dhe që ka si pasojë varfërimin e gjithë familjeve shqiptare. Ndaj unë jam i bindur se Korça dhe gjithë Shqipëria do të japë përgjigjen e duhur në 28 qershor. Por, njëkohësisht unë jam i bindur se nuk mund të pajtohemi me hipokrizinë e politikës së re, e cila vetëm gjëra të reja nuk sjell. Nuk është politikë e re, sepse po të ishte e tillë, z. Rama dhe deputetët e PS-së i bashkonin votat me LSI-në për të ngritur komision parlamentar për të hetuar tragjedinë e Gërdecit. Por ai nuk i dha votat, sepse prishej "Viti i mjaltit" me Sali Berishën, sepse kaq zgjati dhe periudha e këtij bashkëpunimi mes lidershipit të PS-së dhe PD-së, që filloi me Gërdec-Kushtetutën, dhe përfundoi me Kodin Zgjedhor”.
Malaj: Varfëria në rritje, qeveria të marrë masa
Ish-ministri i Financave dhe deputeti i Partisë Socialiste, Arben Malaj, deklaroi dje se varfëria në vend po rritet dhe qeveria duhet të marrë masat e menjëhershme. Sipas Malajt, ekonomia shqiptare nuk është e imunizuar nga kriza ekonomike dhe qeveria shqiptare nuk mund të jetë krenare për dështimin edhe të saj. “Siç jeni informuar, të gjitha institucionet financiare ndërkombëtare i kanë sugjeruar qeverisë shqiptare të ketë parasysh rënien e ritmeve të rritjes ekonomike, bile paralajmërimi i fundit nga FMN-ja dhe BB-ja është që kjo rritje do të jetë më e vogël se 3,7%”, - shtoi deputeti i PS-së. Malaj theksoi se ndërtimi është në një rënie të konsiderueshme, duke rrezikuar shumë vende pune dhe sistemin financiar të vendit. “Në muajin dhjetor 2008, edhe pse qeveria keqpërdori miliarda lekë investime, importet e materialeve të ndërtimit ishin rreth 16% më pak se një vit më parë, çka do të thotë se investimet private në ndërtim janë ulur ndjeshëm”, - tha ai.
Baraj: Problemet e tokës bujqësore, ende pa zgjidhje
Partia Socialiste deklaroi dje se problemet me tokën bujqësore nuk janë zgjidhur ende. Sekretari për mjedisin në këtë parti, Besnik Baraj, tha se reforma e tokës bujqësore, e cila ka qenë në rendin e ditës që në vitin 1991, ende mbetet një nga problemet më të mëdha, duke u bërë pengesë në zhvillimin ekonomik të vendit. Pas më shumë se 18 vjetësh të ndarjes së tokës sipas ligjit, bujqit nuk janë ende zotër të ligjshëm në tokën e tyre. “Administrimi i tokës është i deformuar duke pasur mbivendosje, konfuzion dhe konflikte shpeshherë me përmasa tragjike. Nuk vihet re një vizion i qartë, procesi është i kapur e i ngërthyer në konfliktualitet ligjor dhe institucional, duke vijuar të jetë shumë larg zgjidhjes”, - tha ai, duke shtuar se qeveria vazhdon të mos përmbushë detyrimet e saj kontraktuale me qytetarët shqiptarë, jo vetëm duke mos i dhënë rrugëzgjidhje procesit, por përkundrazi duke e penguar e futur në një konfuzion akoma më të madh edhe pse në fushatën elektorale të vitit 2005 u premtoi shqiptarëve se do ta zgjidhte këtë hallkë kritike të ekonomisë sonë.
Balla: Mazhoranca të pranojë ngritjen e komisionit ad hoc
Selia rozë i është rikthyer dje kërkesës për ngritjen e komisionit ad hoc për monitorimin e përgatitjeve të procesit zgjedhor. Deputeti i kësaj partie, Taulant Balla, tha: “Vijojnë problemet me procesin e shpërndarjes së kartave të identitetit dhe 126 ditë deri në ditën e zgjedhjeve, konstatojmë me shqetësim të madh se ky proces vazhdon të mbahet i bllokuar në pjesën më të madhe të njësive vendore të vendit”. “Partia Socialiste është e mendimit se mosngritja në kohë e komisionit parlamentar të monitorimit për këtë proces, i heq të vetmen mundësi efektive opozitës për të pasur akses dhe informacion dhe mbi të gjitha, për të përcaktuar qartë dhe përfundimisht ku fillon dhe ku mbaron përgjegjësia e qeverisë ndaj zgjedhësve shqiptarë”, - tha Balla.