E Diel, 1 Nëntor 2026

Studiues italianë i dhurojnë Kryetares së Kuvendit librin e statuteve të Shkodrës që datojnë prej vitit 1300

Një botim me fakte të rëndësishme për historinë shqiptare gjatë periudhës së Mesjetës iu dhurua sot Kryetares së Kuvendit, Jozefina Topalli gjatë takimit që pati me ish-ambasadorin Italian Paolo Foresti dhe studiuesen Luçia Nadin, autore e disa librave mbi Shqipërinë.

Statutet e Shkodrës, frut i një punë kërkimore disavjeçare kryesisht në arkivat e Venecias, përmban ligjet nëpërmjet të cilave qeverisej që prej fillimit të viteve 1300 dhe shënon një faqe të rëndësishme të historisë shqiptare.
Faktet dhe dokumentet e gjetura tregojnë për rrënjët europiane të Shqipërisë. Ligjet që aplikoheshin në atë kohë kanë në themel të tyre lirinë, demokracinë dhe respektin për ligjin, tha zonja Nadin.

Studiesja italiane nënvizoi se është shumë e rëndësishme që shqiptarët të jenë aktivë në mbrojtjen e historisë dhe rrënjëve të tyre, me qëllim shpalosjen e Shqipërisë jashtë stereotipeve. Ajo vuri në dukje se në kërkimet e saj ka gjetur fakte që tregojnë se edhe Durrësi dhe Vlora kishin statute të tilla nëpërmjet të cilave ushtrohej qeverisja.
Është një korpus i plotë i organizuar me një gjuhë dhe efikasitet mbresëlënës, gjë që tregon që e gjithë kjo zonë ishte pjesë e një sistemi europian, tha autorja e librit Statutet e Shkodrës.

 
Zoti Foresti u shpreh se shqiptarët duhet të jenë krenarë për rrënjët e tyre, sepse Shqipëria ka një histori të rëndësishme, është pjesë e hershme e Europës së cilës i ka dhënë personalitete të shumtë dhe inteligjencë.
 
Statutet e Shkodrës datojnë përpara vitit 1346 dhe kanë përbërë fillesën e shumë statuteve të tjera të njohura të aplikuara në Ballkan.

Më shumë nga Zyrtare

Të gjitha ›