Stuhi të forta në Verilindje të SHBA

Dy tornado të pazakonta kanë goditur lagjet Kuinsit dhe Bruklini të New Yorkut duke dëmtuar dhjetra shtëpi e duke shkëputur linjat e energjisë elektrike.
Tornadot përmbysën makina, rrëzuan pemë ndërsa për fat të mirë, nuk janë shënuar as viktima e as të plagosur.
Sipas autoriteteve shpejtësia e erës arriti deri në 113 km në orë.
"Ishim të gjithë të frikësuar. Xhamat e dritareve u thyen, ikën dritat. Të gjithë po dridheshim",-tha një banore e zonës.
Ndërkohë tornadot kanë çuar në pezullimin e turneut të tenisit US Open. Policia evakuoi të gjithë njerëzit që po ndiqnin gjysmëfinalen mes Djokovic dhe Ferrer, e cila do të vazhdojë sot.
Stuhi të forta përfshinë edhe rajonin e brigjeve të Atlantikut që nga New England në Karolinën e Veriut. E njëjta valë stuhish goditi pjesën e sipërme qendrore të Shteteve të Bashkuara duke shkaktuar vdekjen e katër vetëve.