E Shtunë, 31 Tetor 2026

“Stuko” kap falsifikatorët e mallrave industrialë

12/09/2009  Gjatë operacionit u sekuestruan produkte që kapin vlera të mëdha financiare

TIRANE- Agjentët e krimit Ekonomiko-Financiar kanë çuar në qeli 4 shtetas, pasi mendohet se ata në bashkëpunim me njëri-tjetrin kryenin falsifikimin e vulave të artikujve industriale duke mashtruar qytetarët se malli i përkiste firmave të njohura si “Intonaco Fino”, “Italcol”, “Superkoll’, “Alea Mix” e të tjera. Burimet thanë se kanë qenë pikërisht këto firma, të cilat pasi kishin konstatuar në treg mallra me etiketën dhe vulën e tyre të falsifikuar, i janë drejtuar seksionit kundër krimit ekonomik, duke depozituar në të një kallëzim penal. Pas studimit të materialit dhe survejimit të katër personave në teren, agjentët e këtij seksioni kanë arritur të mbledhin prova që implikonin drejtpërdrejt shtetasit e arrestuar. Të ndodhur në këtë situatë policia ka organizuar operacionin e koduar me emrin “Stuko”, ku në prangat e të cilit ranë shtetasit Avni Barjaktari, 45-vjeç, lindur në Poliçan Skrapar dhe banues në Qesarak Dajt, Arjan Kona, 38-vjeç, banues në Tiranë, Agron Ramlli, 46-vjeç, lindur në Durrës dhe banues në Tiranë dhe Aurel Çezma, 34-vjeç, lindur në Korçë dhe banues në Tiranë. Këta persona u ndaluan në flagrancë, teksa po tregtonin artikujt e prodhuar prej tyre. Burimet zyrtare pranë policisë së Tiranës thanë se që prej muajit tetor të vitit 2008, kishte nisur intensivisht hetimet, për një subjekt, i cili dyshohet se prodhonte dhe tregtonte produkte ndërtimi duke i falsifikuar produktin dhe ambalazhin, e subjektit tregtar “Italcol”. Pas një hetimi të realizuar nga ky seksion, ka rezultuar se këto produkte të falsifikuara, janë prodhuar dhe tregtuar për një periudhe 2-vjeçare, ndërkohë që dyshohet se dëmi që i ka shkaktuar shtetit shkon në shuma të konsiderueshme parash, po ashtu dhe dëmi që i ka shkaktuar subjektin tregtar “Italcol”, përllogaritet të arrijë në vlera të konsiderueshme financiare. Operacioni policor “Stuko” u shtri dje në disa zona të kryeqytetit si, Rruga Ura, Kamëz, Rruga e Barrikadave dhe Ish- Uzina Dinamo në Tiranë. Sipas policisë, katër personat u kapën gjatë momenteve të prodhimit dhe të tregtimit produkte të falsifikuara, edhe të subjekteve të ndryshme tregtare me emërtimet e produkteve “Intonaco Fino”, “Italcol”, “Superkoll’, “Alea Mix” e të tjera. Ndërkohë gjatë organizimit dhe zhvillimit të këtij operacioni, rezultoi se vendi i stampimit dhe prodhimit të ambalazheve të produkteve të falsifikuara ndodhej brenda ambienteve të ish Uzinës “Dinamo” si dhe në ambientin e shtypshkronjës “Miq dhe Paqe”.

Mallrat e sekuestruar

Nga kontrolli i ushtruar në subjektet tregtare u sekuestruan në cilësinë e provës materiale sendet si 5000 thasë me produkte ndërtimi kollë dhe fino me emërtime tregtare “Intonaco Fino”, “Italcol’, “Superkoll”, “Alea Mix”, 12 lastra për stampimin e mbishkrimeve tek ambalazhet e produkte ndërtimi kolle dhe fino me emërtime tregtare “Intonaco Fino”, ‘Italcol”, “Superkoll”, “Alea Mix”, 200 thasë ambalazhi bosh për produkte kolle dhe fino me emërtime tregtare “Intonaco Fino”, “Italcol”, “Superkoll”, “Alea Mix” si dhe 290 fletë të printuara format A1 për produkte kolle dhe fino me emërtimet tregtare të mësipërme.

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›