E Shtunë, 31 Tetor 2026

Apartamente për 100 familje të pastreha

12/09/2009  Nisin dje punimet për ngritjen e 3 pallateve. Përfundojnë në fund të 2010-s

FIER- Çelet drita jeshile për 100 familje fierake të pastreha. Rreth 100 familje të pastreha në Fier do të strehohen me ndërtimin e 3 pallateve, të cilat do të ndërtohen në periferi të qytetit. Bashkëpunimi mes qeverisë shqiptare, Bashkisë së qytetit të Fierit dhe Fondit të Zhvillimit të Komunitetit Evropian kanë vënë në dispozicion rreth 123 milionë lek të reja për ndërtimin e 3 pallateve.

Projekti për të pastrehët

Banka për zhvillimin e Këshillit të Evropës ka nisur zbatimin e një projekti për ndërtimin e qendrave të banuara për të ndihmuar familjet e pastreha. Ky projekt është shtrirë në 8 bashki të vendit ku bën pjesë edhe qyteti i Fierit. Ditën e djeshme në prezencën edhe të Ministrisë së Transporteve në qytetin e Fierit ka filluar ndërtimi i godinave të 3 pallateve 9 katëshe me një investim rreth 123 milionë lek të reja. Sipas Xhevit Lajcit, specialist në sektorin e politikave të strehimit në Ministrinë e Transportit ky projekt është shumë i rëndësishëm pasi zbut një problem të madh social siç është ai i strehimit. “Projekti do të ketë një grafik të caktuar. Fillon sot dhe mbaron në fund të muajit nëntor-dhjetor të vitit 2010. Numri i apartamenteve është rreth 100 me strukturë 1+1, 2+1, i cili do t’u jepet familjeve të qytetit të Fierit me qira, pikërisht atyre familjeve që plotësojnë kushtet dhe kriteret e caktuara”. Sipas nënkryetarit të Bashkisë Fier, Jani Fuli, ky projekt është paracaktuar që të mbarojë deri në fund të vitit 2010 dhe apartamentet do t’u jepen atyre që plotësojnë kushtet dhe kriteret e caktuara nga komisioni për të pastrehët. “Këto janë banesa me kosto të ulët për t’ju ofruar familjeve në nevojë,-ka thënë Fuli, më këtë ne do të zbusim kërkesat e shumta që kanë sot familjet fierake. Banesat do të jepen me qira dhe më pas do të privatizohen dhe qytetarët që do të përfitojnë këtë projekt duhet të kenë një sasi të ardhurash që të mund të përballojnë qiranë megjithëse do të jetë e ulët”. Numri i të pastrehëve në Fier është rreth 650 familje dhe në këtë kontingjent të parë do të strehohen vetëm 100 prej tyre. Në inaugurimin e fillimit të punimeve për ndërtimin e këtyre 3 pallateve të rinj morën pjesë përfaqësues të Ministrisë së Transporteve, Bankës për zhvillim, kreu i Bashkisë Fier, Baftjar Zeqaj, si dhe qytetarë të pastrehë të interesuar për këtë lajm të rëndësishëm.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›