Su Ki mbërrin në Uashington, turne trejavor në SHBA

Laureatja e Çmimit Nobel, Aung San Su Ki, ka mbërritur në Uashington, ku do të nisë turneun trejavor në Shtetet e Bashkuara.
Liderja e opozitës në Birmani, të martën, pritet të takohet me Sekretaren amerikane të Shtetit, Hillari Klinton.
Një ditë më vonë, asaj do t`i jepet Medalja e Artë e Kongresit, një nga çmimet më të larta për qytetarët në Shtetet e Bashkuara.
Su Ki me zyrtarët amerikanë do të diskutojë përparimin e vendit të saj drejt reformave demokratike, pas disa dekadave të sundimit ushtarak.
Ky është udhëtimi i saj i tretë jashtë vendit, që kur është liruar nga arresti shtëpiak në nëntor të vitit 2010.
Shtëpia e Bardhë nuk ka deklaruar ende nëse presidenti Barak Obama do të takojë Su Kinë.