Tahiri: Në Bruksel, PD-ja refuzoi rezolutën për vizat

Deputeti i PS-së tha se Shqipëria do të futet në librin e rekordeve, lidhur me refuzimin e rezolutës
Z. Tahiri, ju ishit pjesë e delegacionit të parlamentit shqiptar që vizitoi Brukselin ku u diskutua edhe për krizën politike shqiptare. Mund të na thoni se çfarë diskutuat dhe në çfarë përfundimesh doli ky komitet ndërparlamentar për situatën politike në Shqipëri?
Gjatë punimeve të komitetit të përbashkët parlamentar u diskutua mbi situatën politike në Shqipëri, mbi përmbushjen e kritereve të udhërrëfyesit për liberalizimin e vizave, si dhe mbi realizimin e reformave të nevojshme për integrimin në BE. Presupozohej që në fund të punimeve të miratohej një rezolutë e përbashkët.
Për fat të keq kjo nuk ndodhi, sepse siç u bë e qartë për të gjithë të pranishmit, z. Berisha me një telefonatë e ndërpreu procesin e negociatave, duke i dhënë fund kështu dhe çdo mundësie për të miratuar një qëndrim të përbashkët që përveçse do të shpallte vullnetin e palëve për të zgjidhur krizën politike, do të sanksiononte gjithashtu vullnetin e Parlamentit Europian për të përshpejtuar procesin e liberalizimit të vizave për qytetarët shqiptarë. Sali Berisha i hodhi poshtë që të dyja me një telefonatë.
Nga kush u propozua rezoluta?
Rezoluta duhet të ishte produkt i punimeve dy ditore të këtij komiteti mbi një draft rezolutë të propozuar jo nga pala shqiptare, por nga Eurodeputetët. Vetë rezoluta ishte e plotë dhe realiste, duke qenë se bazohej mbi raportet kryesore monitoruese të partnerëve ndërkombëtarë dhe mbi vlerësimet e ndryshme për vendin tonë, për gjendjen aktuale politike, ashtu si edhe për nivelin e realizimit të reformave institucionale dhe ligjore që duhen përmbushur.
Për rëndësinë që kishte ky dokument, është për të ardhur keq që me një vendim politik të verbër, kjo rezolutë jo vetëm që nuk u pranua, por as nuk u shtrua për tu diskutuar në seancë.
Çfarë përmbante rezoluta, mund të na zbardhni disa pika?
Rezoluta përmbante qëndrimin e Parlamentit Europian për situatën politike në vend duke i ftuar palët, në radhë të parë qeverinë, duke qenë se opozita vazhdimisht po kërkon, rrugën për të gjetur zgjidhje të krizës politike dhe institucionale.
Rezoluta përmbante edhe kërkesën e partnerëve ndërkombëtarë, pra të BE-së, për të ngritur një komision hetimor parlamentar, i cili i negociuar dhe i pranuar nga të dyja palët, do të hetonte zgjedhjet dhe do të hartonte rekomandimet përkatëse, me qëllim garantimin e zgjedhjeve të lira e të ndershme në të ardhmen.
Përmbante gjithashtu kontributin e përbashkët të mazhorancës dhe opozitës në procesin e liberalizimit të vizave, por gjithashtu i tërhiqte vëmendjen qeverisë për të përmbushur ato kritere që kanë mbetur pa plotësuar ende, veçanërisht kriteret e bllokut të dytë dhe të tretë të udhërrëfyesit që kanë të bëjnë me ripranimin dhe riintegrimit dhe veçanërisht me luftën kundër korrupsionit.
Rezoluta shprehte shqetësimin e partnerëve ndërkombëtar për administratën publike dhe emërimet e shkarkimet politike, për mungesën e reformave në fushën e drejtësisë dhe veçanërisht në mungesën e luftës kundër korrupsionit, duke kërkuar garantimin e pavarësisë së institucioneve të pavarura kushtetuese dhe gjyqësorit në veçanti.
Me çfarë argumenti e hodhën poshtë përfaqësuesit e mazhorancës këtë projektrezolutë, pra cilat ishin pikat e kontestuara prej saj dhe të cilat nuk donte të përfshiheshin në këtë dokument?
Mazhoranca nuk paraqiti asnjë argument. Thjesht nuk donte të pranonte të vërtetat e shprehura në atë rezolutë, duke filluar që nga qëndrimi për krizën politike, propozimi për zgjidhjen e saj nëpërmjet komisionit hetimor, për reformën në sistemin gjyqësor, në administratën publike e kështu me radhë. Qëndrimi ishte absurd aq sa mazhoranca nuk pranonte as termin "krizë politike", duke e konsideruar të gjithë këtë që po ndodh këto nëntë muaj si një "problem politik".
Duket qartë që kemi të bëjmë ose me një mazhorancë që nuk e kupton më realitetin e vendit që qeveris ose që është shumë e ndërgjegjshme për këtë që po ndodh dhe po e shtyn me dashje vendin drejt greminës. Në të dyja rastet mund të ketë vetëm një arsye, për të ruajtur pushtetin politik dhe ekonomik të atij grushti njerëzisht që është me ose afër kryeministrit.
Fakti që kjo rezolutë u propozua nga Parlamenti Europian, do të thotë që ata, pra BE-ja është për një zgjidhje sipas kërkesave që ka bërë opozita?
Opozita nuk ka pronësinë e zgjidhjes së krizës, zgjidhje prej të cilës nuk përfiton vetëm njëra palë cilado qoftë, por përfitojnë të gjithë qytetarët shqiptar, të majtë e të djathtë, përfiton vendi. Ne kemi propozuar rrugën e vetme, transparencë dhe garanci për zgjedhjet e ardhshme.
Mazhoranca nuk do as njërën, as tjetrën. Duhet theksuar një gjë se të gjithë eurodeputetët, madje dhe Doris Pack shprehu shqetësim sesi me dhunë të pashembullt nuk u morën në konsideratë përpjekjet e Parlamentit Europian për të zgjidhur krizën duke mbyllur takimin pa një rezolutë të përbashkët.
Ka pasur precedentë të tjerë që në takime të tilla Parlamenti Europian nuk arrin dot të miratojë një rezolutë, apo Shqipëria përbënë rastin e parë?
Kemi hyrë mbrapsht në librin e rekordeve edhe kësaj radhe. Kjo është hera e tretë që ndodhte në historinë e komiteteve të përbashkëta parlamentare në Parlamentin Europian. Hera e parë ka qenë me rastin e Maqedonisë ku për shkak të emrit, eurodeputetë grek nuk binin dakord të miratonin një rezolutë me emrin "Republika e Maqedonisë".
Rasti i dytë ka qenë ai Turqisë për shkak të çështjes së Qipros turke. Rasti tretë ishte ky i joni, ku nuk ranë dakord përfaqësuesit e shumicës që sot qeverisin vendin për çështje që normalisht duhet të binin dakord siç është transparenca dhe standardi demokratik për zgjedhjet e lira e të ndershme. Është për të ardhur keq, por mesa duket mazhoranca ka humbur çdo fije arsye që nuk mund t'i ketë hije asnjë qeverie të shekullit të XXI mu në mes të Europës.
Dade: Raporti i OSBE-ODIHR-it u manipulua. Flas edhe me emra
Milo: Deklarata e Fyles, e papranueshme
TIRANË - Kryetari i PDS-së, Paskal Milo, dhe deputetja e PS-së, Arta Dade, kanë reaguar ndaj deklaratave të komisionerit për Zgjerimin Europian, Stefan Fyle, se kreu i opozitës, Edi Rama, mban përgjegjësi personale për gjendjen e grevistëve.
Milo dhe Dade kanë atakuar komisionerin Fyle, duke e cilësuar deklaratën e tij si jonormale dhe të zhveshur tërësisht nga statusi diplomatik që ai duhet të bartë.
Sipas kreut të Partisë Demokracia Sociale, kjo deklaratë është e palejueshme dhe e papranueshme. "Unë nuk jam absolutisht dakord dhe habitem se si një komisioner europian që quhet Fyle të mund të zhvishet edhe nga kostumi diplomatik formal dhe të lëshojë një deklaratë të tillë.
Është e palejueshme", - u shpreh kreu i PDS-së, Milo në TV "Alsat". Ndërsa deputetja e Partisë Socialiste, Arta Dade, vuri në dukje se Fyle ka tërhequr vëmendjen dhe ka bërë përgjegjës klasën politike shqiptare për krizën politike, që vazhdon të mbetet e pazgjidhur.
"Unë jam dakord me atë që konstatoi zoti Milo, por veç faktit që nuk u kalua deklarata e PE-së dhe është hera e parë që nuk kalon deklarata në përfundim të bisedimeve, ai ka tërhequr vëmendjen dhe ka bërë përgjegjës klasën politike shqiptare për krizën", - nënvizoi Dade.
Përveç komisionerit Fyle, Dade nuk ka lënë pa përmendur edhe hartuesit e raportit të OSBE-ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit që, sipas saj, ata e kanë manipuluar këtë raport.
Ky raport, sipas deputetes së PS-së, në disa pjesë të tij është kontradiktor dhe për më tepër, sipas saj, ata që e kanë hartuar dhe shqyrtuar përfundimisht, janë edhe njerëz të njohur e të afërt me Kryeministrin Sali Berisha, ku një ndër ta është edhe austriaku Volfang Grosruk.
"Vetë raporti i OSBE/ODIHR-it, në mjaft momente është tejet kontradiktor, sepse kemi të bëjmë me një manipulim edhe të vetë atyre që e shkruan këtë raport. Njerëzit që i kanë dhënë dorën përfundimtare... Dhe unë nuk bëj asnjë gabim nëse përmend emra, si zoti Grosruk", - shtoi Dade.